Minoriteti, Droutsas: Greqia, inventar pronash në Shqipëri
Minoriteti grek në Shqipëri duket se do të mbetet përcaktues në marrëdhëniet me Greqinë. Supozimet dhe debatet mediatike që riciklohen periodikisht në Tiranë rreth interesave helene në vendin tonë, kanë marrë një konfirmim zyrtar nga Athina, madje nga nivele shumë të larta të politikës. Në një seancë parlamentare të ditës së hënë, ministri i Jashtëm plotësues i Greqisë, Dimitris Droutsas, duke iu përgjigjur pyetjeve të përfaqësuesve të nacionalistëve të partisë LA.O.S, ka bërë publike rrezen e interesave në Shqipëri dhe hapat që do të ndërmerren për realizimin e tyre.
Regjistrimi pronave“Prezenca e fortë dhe e qëndrueshme ekonomike e Greqisë në Shqipëri së bashku me programet e zhvillimit dhe projektet e infrastrukturës që ne po themelojmë atje kontribuojnë në krijimin e kushteve të duhura për anëtarët e Minoritetit Kombëtar Grek në Shqipëri që të qëndrojnë në vatrat e tyre dhe për ata që janë larguar që të rikthehen. Ministria e Jashtme greke po zhvillon së bashku me OSBE-në një program për inventarizimin e parë dhe të plotë të pronave në bregdetin jugor të Shqipërisë”. Kjo deklaratë e Droutsas duket se do të jetë hapi që qeveria e Athinës do të ndërmarrë për të siguruar përmes dokumentacionit zyrtar shqiptar një shifër ekonomike të prezencës së minoritetit, e cila në vetvete ofron edhe një përmasë gjeografike apo territoriale. Me interes është të shihet se adresa që Droutsas jep për sa i përket çështjeve të pronësisë së pakicës i referohet bregdetit, çka vetvetiu nxjerr në sipërfaqe problemin e Himarës. Lidhur me këtë të fundit, Tirana zyrtare nuk njeh prani të minoriteteve, çka e bën pranimin e mundshëm të inventarizimit të pronësisë sipas termave që jep ministri grek, një hap të parë të ndryshimit të qëndrimeve të saj. Në njëfarë mënyre, konteksti i brendshëm politik shqiptar e kthen projektin e sipërcituar në një sfidë delikate për qeverinë aktuale, që ka në regjistrin e vet disa akte jo shumë të pranueshme për opinionin e gjerë.
Regjistrimi i 2011Përtej kuadrit nacionalist që mvesh përherë problemet e mbetura mes Greqisë dhe Shqipërisë, qëndron perspektiva europiane, e cila shërben si siguresë për tensionet e mundshme. Në të njëjtën frymë, ministri i Jashtëm plotësues, Droutsas ka nënvizuar para deputetëve grekë se edhe zgjidhja e problemeve të minoritetit duhet projektuar në kontekstin e standardeve europiane, të cilat edhe Shqipëria ka detyrimin t’i zbatojë. Një nga këto është edhe regjistrimi i pritshëm i popullsisë, të cilin Athina zyrtare e pret në funksion të shifrave që do të prodhojë pyetja për origjinën etnike të shtetasve shqiptarë. “...kursi europian i Shqipërisë mbetet i një rëndësie themelore për të ardhmen e marrëdhënieve greko-shqiptare. Progresi i vendit në këtë drejtim siguron gjithashtu interesat e Minoritetit Kombëtar Grek. Një nga premtimet që Shqipëria ka bërë ndaj BE është realizimi i një regjistrimi në vitin 2011...Dhe ne shohim si pozitive që pyetësori i përgatitur nga autoritetet shqiptare përfshin një pyetje rreth origjinës etnike, që ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e Minoritetit Kombëtar Grek”, u shpreh Droutsas në përgjigje të deputetëve të partisë LA.O.S. Etnia me regjistrim vullnetar shfaqet kështu si një detyrim i Tiranës para Bashkimit Europian, në prapavijë të të cilit qëndrojnë edhe interesat greke. është e qartë se shifra e prodhuar prej këtij regjistrimi do të japë një panoramë zyrtare të popullsisë, raportet e brendshme të së cilës qoftë në planin etnik, qoftë atë fetar, nuk pranohen më si të besueshme, ose të paktën kanë nxitur kërkesën për rikonfirmim. Ajo që ka rëndësi në planin politik është fakti se nëse pala greke nuk heziton që të bëjë të njohura shqetësimet për pjesëtarët e kombit të vet, apo për mbrojtjen e interesave të veta, ashtu si ajo i formulon, duhet thënë se nga Tirana zyrtare, heshtja mbetet politika e vetme.
#