Edi Rama po shpërndan PS-në

Takimet e djeshme konfirmuan vendimin e kryetarit të socialistëve për të nxjerrë PS-në nga institucionet dhe për ta shndërruar atë në një ojq të tipit të strukturave që ka drejtuar Erion Veliaj. Shpërndarja e PS-së po shfaqet si një ambicie e mirëfilltë politike e Edi Ramës, ndërkohë që s’po shihet ende rezistenca e politikanëve të karrierës në të majtë, apo e ambiciozëve të rinj që janë afruar në partinë më të madhe të opozitës
Kryetari socialist Rama e ka futur PS-në në rrugën finale të shpërndarjes përfundimtare për të justifikuar kështu dështimin e tij personal në mbajtjen e premtimeve ndaj grupit të biznesmenëve të rinj, të cilëve u kishte premtuar vende ministrash në qeverinë që sipas fjalëve të tij do të krijonte me hir ame pahir pas qershorit të vitit 2009. Edi Rama duke këmbëngulur në parakushtet e tij për hapjen e kutive ka siguruar fundin e PS-së që prej kohësh nuk është prezente në skenën politike shqiptare.
Partia Socialiste nuk arriti në këto muaj që të bëjë opozitën funksionale për të cilën u mandatua nga votuesit. Nuk arriti që të ndalë qeverinë dhe institucionet të realizojnë politikat e tyre dhe nuk mundi të vejë përballë alternativën tjetër, më të mirën për qytetarët. Edhe pse pa një oponencë të ndershme dhe nën trysninë e gabimeve të ndryshme, mekanizmi shtetëror në përgjithësi kaloi sfidat e veta dhe jeta publike dhe institucionale e vendit nuk u prish dhe as u stopua. Lënia e Partisë Socialiste jashtë parlamentit dhe jashtë platformës së bashkëpunimit për reformat, i hoqi asaj mundësinë e ndërhyrjes për të përmirësuar tendencat për largimin e pretenduar të mbështetësve të saj nga poste shtetërore. Ajo tradhtoi në këtë mënyrë besimin popullor dhe nën drejtimin e Edi Ramës e njehsoi veten me një parti mendjengushtë në shërbim të titullarit dhe aferave të një grupi të vogël afër tij. Nuk mundi të përfaqësojë asnjë nga interesat afatshkurta, të mesme, apo të gjata të elektoratit të vet, duke mos garantuar balancën në dhënien e shanseve edhe ndaj mbështetëseve dhe votuesve të saj nga pushteti. Mbetja jashtë mekanizmit parlamentar dhe shtetëror nën shembullin dhe fjalët e Gjinushit, Milos, Ngjelës, Ramës dhe gjithë atyre që për inat të mbetjes jashtë jetës institucionale tentuan të krijojnë kaos dhe rrëmujë shoqërore dhe socialë, e kthyen PS-në në një shembull të padëshirueshëm. Gjithë mekanizmat ndërkombëtare unifikuan qëndrimet e tyre duke i bërë presionin final me anë të rezolutës së Këshillit të Europës që detyrojnë kthimin në institucione dhe vulosjen e marrëzisë së mosnjohjes së rezultatit zgjedhur.
Partia Socialiste nuk mundi dhe nuk deshi të mbrojë interesat e votuesve të saj në arsimim, në sigurimin e bursave, në garantimin dhe mbrojtjen e balancave politike në qendër dhe bazë. Thirrja ogurzezë e Ramës për të lënë çdo qelizë të shtetit dhe për të tërhequr nga çdo funksion publik mbështetësve e opozitës dëmtoi në kulm interesat elektorale të së majtës.
Partia Socialiste humbi sensin e masës dhe realitetit.
Skenarët për të dezertuar nga përpjekja mbarëkombëtare për liberalizimin e vizave veçse dëshmojnë agoninë dhe keqdashjen e Ramës dhe grupit të tij të besuar që nuk ka lidhje me opozitën për lënin jashtë aferave dhe shumave marramendëse që ishin mësuar të merrnin nga funksionet e tyre publike e shoqërore. Shkelja me këmbë nga Rama e çdo aspirate e atyre që donin të futeshin në Kuvend dhe të bënin atë për të cilën u votuan, shuan brenda socialistëve shpresat për të ardhmen. Pafuqia e grupit të njerëzve që kundërshtuan Ramën ishte zhgënjyese dhe vendimi për të shkrirë PS-në mbetet i vetmi në kokën e të ashtuquajturit kryetar të partisë Socialiste.
Partia Socialiste humbi besimin e njerëzve të saj, humbi seriozitetin, humbi gjithçka në pak muaj duke humbur kredibilitetin dhe miqtë e saj brenda dhe jashtë vendit. Epitafi i historisë së saj po shkruhet me shumë dëshirë nga Rama dhe biznesi afër tij. Strukturat e PS-së u komprometuan nga nevojat ditore për shkaka të vendimit të Ramës për të mos qenë pjesë e opozitës. Pavarësisht këmbënguljes së qeverisë që të mbajë ajo në një farë mënyre balancat dhe respektin ndaj opozitës, kreu Rama bëri çmos që të shkatërronte këtë forcë politike me tendencën që të falimentonte demokracinë. Megjithatë falimentimi dhe shkatërrimi i Partisë Socialiste po ndodh. Shpërndarja e kësaj force politike është finalja që pritet të ndodhë në një skenë të ngritur dhe dirigjuar nga Edvin Kristaq Rama.