Editorial / Ambasadori Uidhers nga showman i ekraneve në karagjozman i revolucionit Portokalli

Ambasadori amerikan në Shqipëri po demonstron çdo ditë dhe më tepër para shqiptarëve papërgjegjshmëri dhe deficencë nëpërmjet veprimeve të tij, të cilat kanë krijuar pështjellim dhe frikë në opinionin publik shqiptar. U desh spektakli portokalli dhe dalja e fundit para gjyqtarëve për të vërtetuar faktin se me përfaqësuesin e SHBA diçka nuk shkon. Të gjithë kemi parë shumë mirë se si ky ambasador tashmë ka filluar fushatën elektorale në interes të Edi Ramës, duke pushtuar ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave, ku me thirrjet e tij ka bërë të qartë se qëndrimi i tij është pro liderit socialist.
Ambasadori i SHBA ka qenë njeriu më i keqpërdorur politikisht gjatë ditëve të fundit nga kryesocialisti Rama, një keqpërdorje e cila për shumë njerëz që e shikojnë ngjall keqardhje për nivelin e ulët të përfaqësimi të SHBA, të atij shteti kampion që të gjithë e kemi parë simbol të demokracisë dhe të lirisë. Ky ambasador nëpërmjet veprimeve të tij aspak dinjitoze ka nëpërkëmbur dinjitetin e shtetit të tij, që për ne shqiptarët ka shërbyer si burim frymëzimi në ditët më të vështira të diktaturës. Implikimi i Uidhers me çështjen e Gërdecit, ku ky ambasador në mënyrë të paskrupullt gënjente shtetin e tij për shitjen e armeve kineze në kundërshtim me ligjin amerikan, tregon qartë batakun ku ky ambasador ka rënë. Denoncimi i këtij veprimi nga senatori Uaksman duket se solli përfundimisht dishezën e karrierës diplomatike të këtij ambasadori. Nga ajo ditë ky ambasador është kthyer në një marionetë të Edi Ramës. Nëse Edi Rama kundërshtonte ligjin e dosjeve, edhe Uidhers kundërshtonte ligjin e dosjeve, nëse Rama kundërshtonte ligjin e prokurorisë edhe Uidhers kundërshtonte ligjin e prokurorisë, nëse Rama pranonte ligjin e prokurorisë edhe Uidhers e miratonte ligjin e prokurorisë. Në ka nivel më të ulët përfaqësimi dhe diskreditim të diplomacisë së SHBA, ky është tabani, ku një ambasador shndërrohet në zëdhënës të një partie politike. Çdo deklaratë që del nga selia e përfaqësisë amerikane tashmë është shndërruar në shërbim të selisë rozë. Ambasadori Uidhers nga showman i ekraneve televizive, ditën e diel u shndërrua përfundimisht në karagjozman, ku në përmjet deklaratave të tij në spektaklin e Portokallisë dhe interpretimin e dhënë nga televizioni Top-Chanel në lajmet e një dite më pas, paralajmëroi revolucionin portokalli. Top-Chanel në emisionin e lajmeve me titra dhe me kryetitull anunçonte lajmin, Ambasadori Uidhers: Revolucioni Portokalli, duke futur në fund të lajmit shprehjen, në fund, gjithçka përfundoi me të qeshur, por me amerikanët, nuk është gjithmonë e sigurt nëse pas të qeshurës, nuk ka asgjë serioze. Çështë ky kërcënim publik për revolucione që nisin me rastësinë e emrit portokalli për të kujtuar revolucionin Portokalli në Ukrainë të ndodhur pesë vjet më par렠 Çfarë qëndron pas kërcënimit, se pas të qeshurës të amerikanëve nuk i dihet se nuk ka asgjë serioze? A mos vallë ky ambasador paralajmëron një anarshi si ajo e vitit 1997? Asnjë përgënjeshtrim nuk erdhi nga ambasada amerikane për titullin Ambasadori amerikan: Revolucioni Portokalli. Kërcënimi për revolucion nga ana e ambasadorit Uidhers nisur nga mjetet mediatike të Edi Ramës, vjen si një ogur i zi për gjithë shqiptarët dhe paralajmëron ditë të zeza nëse ky vendim është marrë nga shteti amerikan. A ka kosto më Shqipëria të përballojë një revolucion, kur dihet shumë mirë se nga kaosi i 97, pati mijëra të vdekur të cilët mbushën varrezat e qyteteve me shpejtësi marramendës? Ambasadori amerikan në Shqipëri duket se ka kaluar çdo limit të funksioneve të një diplomati duke marrë tagrat e një kryetari shteti, tagër të cilën e shpalosi edhe në mbledhjen e fundit me gjyqtarët, nga ku nisi presionet e radhë për politikën dhe duke marrë në mbrojtje gjyqtarët për ti vënë ata kundër shtetit të tyre. Çudi me këtë ambasador. Mesa duket dikush duhet të lajmërojë urgjentisht Departamentin e Shtetit në Amerikë për të verifikuar shëndetin e ambasadorit të tyre. Tashmë të gjithë e kemi parë këtë ambasador të marrë mbarë ekranet e televizioneve, duke kërcënuar politikën me krimba që shndërrohen në flutura, duke akuzuar dhe kërcënuar, duke marrë atribute të cilat nuk ja lejon kushtetuta e Shqipërisë, duke u kthyer në personazhin komik të vitit. Ndërkohë që presidenti Topi dhe kryeministri Berisha duhet të vendosin dinjitetin e tyre si krerët legalë të shtetit shqiptar, për ti treguar vendin këtij njeriu të çmendur që kërkon të luajë me jetët e shqiptarëve. Kreu i shteti Bamir Topi bën mirë të lërë paçen e mëngjezit dhe të merret më seriozisht me fushatën politike që ka ndërmarrë ky ambasador në favor të një force politike, si dhe ndërhyrjet flagrante të tij në funksionimin e institucioneve në Shqipëri. Në fund të fundit integriteti i Shqipërisë nuk varen nga deklaratat dhe humori i mirë i këtij personazhi sa komik dhe tragjik, por varen nga marrëdhëniet reciproke midis dy shteteve, marrëdhënie që karagjozllëqet e këtij ambasadori po i dëmtojnë seriozisht.