Egjiptianët vazhduan protestat kundër ushtrisë

Televizioni shtetëror ka raportuar se ndërtesa e autoritetit tatimor ishte përfshirë nga zjarri, të cilin ia kanë vënë protestuesit.
Dhuna e fundit u përhap pas trazirave në ndeshjen e futbollit në Port Said, nga të cilat u vranë 74 vetë.
Protestuesit i kanë akuzuar forcat e sigurisë se kanë dështuar në ndaljen e gjakderdhjes.
Në katër ditët e fundit, në Kajro e kanë humbur jetën së paku 12 persona.
Kjo ishte njëra nga javët më të përgjakshme në Egjipt, prej përmbysjes së Hosni Mubarakut nga posti i presidentit, para një viti.
Aktualisht Egjipti udhëhiqet nga një Këshill Ushtarak.
Në përpjekje për ndaljen e dhunës, një grup i ligjvënësve dhe personalitete të tjera publike, thanë se janë takuar me zyrtarët e ministrisë së Brendshme të Egjiptit, për negociata për paqe.