E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia plan emergjence per rikthim te kapitalit ne vend

Një nga shkaqet kryesore të krizës ekonomike që ka përfshirë Greqinë është padyshim kalimi i kapitalit jashtë vendit. Bëhet fjalë për një nga plagët më të vjetra të ekonomisë greke që sistemi politik nuk ka mundur dhe nuk ka dashur ta luftojë asnjëherë. Prej dhjetë vjetësh që grekët kanë dëgjuar të flasin për evazionin fiskal, për eksportimin e kapitalit jashtë vendit, për klientelizëm si dhe funksione të tjera të shtetit që duhet të korrigjohen. Shpesh partitë politike kanë fituar zgjedhjet politike duke u mbështetur pikërisht në premtimet se shteti do të rindërtohet duke luftuar evazionin dhe rikthimin e kapitalit në vend. Burime të ndryshme flasin se mund të jenë rreth 600 miliardë euro të transferuara nga grekët në Zvicër, që do të thotë dyfishi i borxhit total të vendit. Sipas të dhënave të BQG, që nga gjysma e dytë e vitit 2009, që shënon edhe fillimin e krizës janë eksportuar jashtë rreth 64 milirdë euro, rreth 30% i GDP-së greke. Po sipas këtyre të dhënave, depozitat bankare janë reduktuar gjatë kësaj periudhe nga 237,5 miliardë në 174,22 miliardë euro deri në fund të 2011-ës. Këtyre shifrave u shtohen, sipas bankës qëndrore edhe paratë e emigrantëve që punojnë në Greqi drejt vendeve të tyre të origjinës dhe sipas liderit të Laos Karaxhaferis tejkalojnë të 10 miliardët në vit. Por ministria e Financave është e bindur se tashmë ka ardhur momenti për të rikthyer këtë kapital nga jashtë. Ministri i Financave Venizelos u ka bërë apel grekëve të sjellin paratë e tyre në bankat e vendit, që sipas tij janë të sigurta dhe nuk kanë rreziqe. Sipas gazetës Imerisia ministria po studjon një plan emergjence për të rikthyer të gjitha paratë në banka. Dhe si model në studim po adaptojnë atë italian, si më i suksesshmi në këtë fushë. Sipas ministrisë së financave fillimisht janë parashikuar të futen në atdhe rreth 40 miliardë euro, ndërsa shumat e fshehura në kasafortat dhe dysheket e grekëve mund të arrijnë deri në 10 miliardë. Nëse qytetarët do t’i investojnë këto shuma në një kohë të shkurtër atëherë ministria ka menduar të vendosë një taksë të ulët mbi këtë kapital me 2%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›