E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredi për energjinë dhe infrastrukturën

15/06/2009  Banka e Detit të Zi

Kredi për projekte në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe për ndërmarrjet e vogla. Këto janë fushat në të cilat mund të përfitojë ndihmë Shqipëria, nga Banka e Tregtisë dhe Zhvillimit të Detit të Zi, një institucion financiar ndërkombëtar i krijuar 10 vjet më parë, si vend anëtar. Lajmin e bëri të ditur presidenti i bankës, Hyrettin Kaplan, në një konferencë për shtyp, e cila do të pasohet nga një forum me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve financiare nga vendet anëtare. Misioni i këtij institucioni ndërkombëtar është mbështetës për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal nëpërmjet dhënies së kredive, letrave të kreditit dhe garancive bankare për projekte financiare në sektorin privat dhe publik të vendeve anëtare. Gjatë vitit të kaluar banka dha një kredi prej 20 milionë eurosh për kompaninë e çelikut Kurum që ushtron aktivitetin në Elbasan dhe 25 milionë euro për zhvillimin e Albtelekomit, operatori kryesor i telekomunikacionit në vendin tonë. “Arritjet e bankës në këto 10 vjet përbëjnë një bazë solide për ecurinë e mëtejshme të këtij institucioni, por kjo nuk duhet të kthehet në një burim vetëkënaqësie”, - vijoi Kaplan. Ai tregoi se prioritet i bankës për periudhën 2009-2010 nuk do të jetë rritja e portofolit, por mbajtja e një portofoli kualitativ, mbikëqyrja e veprimeve bankare dhe zhvillimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›