E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: Mungojnë politikat sociale për shtresat në nevojë

Ekspertët e ekonomisë kritikojnë politikat sociale të qeverisë. Sipas tyre, ato janë përqendruar vetëm në rritjen e pagave dhe pensioneve, ç’ka ndihmon popullsinë aktive, ndërkohë që janë lënë pas dore shtresat në nevojë. 

TIRANE- Politikat sociale të qeverisë gjatë katër viteve të fundit nuk kanë synuar mbështetjen e shtresave në nevojë, si të verbërit, para dhe tetraplegjikët, të cilët marrin pagesa minimale mujore, të pamjaftueshme për të jetuar. Ekspertët e ekonomisë shprehen se politika e rritjes së pagave dhe pensioneve ndihmon punonjësit e administratës, që përbëjnë edhe popullsinë aktive, ndërsa shtresat në nevojë janë lënë pas dore.
“Nëse bëhen politika sociale, të cilat janë të mirëpritura nga shtresat në nevojë dhe që janë pjesë aktive e shoqërisë siç është dyfishimi i pagave apo reforma në sistemin e pagave. Kjo shtresë e shikon veten pjesë e atyre grupeve të cilat duan të kenë më shumë mbështetje nga shoqëria. Në kushtet ku nivelet aktuale të trajtimit të grupeve të ndryshme, si për të verbërit ashtu edhe për paraplegjikët, pagesa mujore është shumë minimale. Reagimi i tyre vjen pasi kjo pagesë asnjëherë nuk ka qenë e mjaftueshme ” U shpreh ish-Zv.ministre e Financave Adriana Berberi, në një intervistë për televizonin “News24”.
Ekspertët e ekonomisë kundërshtojnë edhe shifrat e qeverisë për mbështetjen sociale. Kryeministri Berisha ka deklaruar vazhdimisht se gjatë katër viteve të fundit, fatura financiare është dyfishuar duke arritur në 15 miliardë lekë.
“Sipas të dhënave të buxhetit të shtetit fondet në 2005 kanë qenë 12.5 miliardë lekë për ndihmën ekonomike. Nëse do të kishim dy fishim të fondeve do të kishim që në projeksionet e buxhetit të vitit 2009 ky fond të ishte 24 miliardë lekë. Sipas buxhetit që është miratuar fondi në dispozicion për këtë grup shoqërorë është vetëm 13.8 miliardë lekë”- tha Berberi.
Niveli i ulët i pagesës ka ngritur vazhdimisht në protesta kategori të ndryshme shoqërore, si pensionistët, para dhe tetraplegjikët, minatorët dhe së fundmi, të verbërit. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›