E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradimet, kthehen në Shqipëri dy të kërkuar për vrasje

Dhjetë vjet i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, Ledian Tira, 29 vjeç nga Durrësi, është ekstraduar një ditë më parë në Shqipëri pas arrestimit të tij në Lubjanë të Sllovenisë. Lajmi është konfirmuar dje nga të dhëna zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave 29-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Durrësit, me një vendim të datës 9 mars të vitit 1999, e ka dënuar me 16 vjet burgim për kryerjen e veprave penale të “vrasjes” dhe “vrasjes së mbetur në tentativë”. Sipas policisë, Ledian Tira, në bashkëpunim dhe me Osman Tellallin më datën 14 prill 1998, rreth orës 24:00, pas një grindjeje banale me Enver Kiptiun, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së këtij të fundit, ku si pasojë ka mbetur e vdekur Shaje Kiptiu.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol- Lubjanën, më datën 13 prill të këtij viti u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë të të shumëkërkuarit për vrasje.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka konfirmuar se është ekstraduar pas tre vjetësh në kërkim Elvis Avdisha, 27-vjeçari nga Durrësi që kërkohej për një sërë akuzash të rënda penale. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave rreth orës 23:30 të së hënës është kryer ekstradimi nga Zyrihu i Zvicrës në drejtim të Shqipërisë i Avdishës. Sipas të dhënave policore, Gjykata e Apelit të Durrësit në vitin 2005 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për të ekstraduarin Elvis Avdisha për veprat penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe “plagosjes së lehtë nga pakujdesia” në dëm të Romeo Bejtos dhe dënimin e tij me 2 vjet dhe 75.000 lekë gjobë.

Ndërkohë që në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, Gjykata e Apelit Durrës e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet e 6 muaj burgim. Përfundimisht, nga Gjykata e Apelit Durrës, më datë 21.11.2005, 27-vjeçari Avdisha është dënuar me 5 vjet burgim në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale. Ngjarja, për të cilën i ekstraduari Elvis Avdisha është deklaruar fajtor, ka ndodhur më datë 28.08.2004 në qytetin e Durrësit, ku për motive të dobëta shtetasi Elvis Avdisha ka tentuar të vriste shtetasin Erion Troplini, duke plagosur dhe një kalimtar të rastit, shtetasin Romeo Bejto.

Nga të dhëna nga Policia e Shtetit është mësuar se nga zyra qendrore kombëtare e Interpol Tiranës për periudhën janar-19 gusht 2008 është bërë i mundur ekstradimi i 46 personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, kryesisht për kryerjen e veprave të rënda penale. Po kështu, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës me strukturat homologe policore të vendeve të huaja është bërë i mundur arrestimi për qëllime ekstradimi i 74 shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›