KE: Jemi të shqetësuar rreth dhunës në Tiranë
Në vijim të protestave të dhunshme që ndodhen dje në Tiranë, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjørn Jagland, ka nxjerrë deklaratën e mëposhtme: “Jam shumë i shqetësuar për shpërthimin e dhunës dhe për viktimat që solli demonstrata në rrugët e Tiranës këtë pasdite”. Në këtë qëndrim zyrtar, ai dënoi të gjitha llojet e dhunës dhe i bëri thirrje të gjitha forcave politike të angazhohen në dialogun konstruktiv, brenda institucioneve demokratike ekzistuese në Shqipëri.
“Shpresoj se do të njoftohem më tej rreth këtij incidenti fatkeq, gjatë vizitës së kryeministrit Sali Berisha në Këshillin e Europës, të enjten tjetër”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për median, nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm i Këshillit të Europës. Kryeministri i Shqipërisë, në kuadër të delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës, do të udhëtojë të enjten e ardhshme për të marrë pjesë në diskutimin e raportit të Dick Marty për Kosovën.