Rikthehen këtë vit studimet me kohë të pjesshme
Pas një viti “pushim”, studimet me kohë të pjesshme pritet të nisin në vitin akademik 2008-2009. Vendimi pritet të merret në shtator, por Ministria e Arsimit dhe e Shkencës konfirmon se të gjitha shkollat e larta që kanë paraqitur programet e reja për t`u miratuar nga ky institucion do të pranohen për të nisur këto studime. Sakaq, ende nuk është përcaktuar se cilat do të jenë procedurat e regjistrimit të maturantëve, e madje as kriteret që do të vendosen. Deri më tani, Ministria e Arsimit ka lënë të hapur mundësinë e hyrjes në këtë sistem edhe pa përfunduar provimet e Maturës Shtetërore, për të gjithë ata që kanë mbaruar shkollën e mesme përpara vitit 2006.
Nis part time
“Në shtator do të vendoset gjithçka mbi sistemin me kohë të pjesshme, – deklaroi për “Standard”, zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, znj. Ermelinda Muho, – Këtë vit janë miratuar kuotat për këtë sistem dhe në rast se shkollat e kanë dokumentacionin e nevojshëm për programet e reja që do të aplikojnë në këtë sistem, atëherë nuk ka asnjë pengesë për to”.
Zëdhënësja e ministrisë deklaroi se këtë vit nuk do të krijohet kaosi i një viti më parë, pasi shkollat që kanë dorëzuar në këtë institucion programet e reja, nuk do të hasin pengesa të panevojshme. Madje, sipas saj, në shtator do të miratohet edhe vendimi i posaçëm i Këshillit të Ministrave, ku do të përcaktohen modalitetet për secilën shkollë të lartë që do të ofrojë këtë lloj studimi.
Kriteret
Ende nuk janë përcaktuar kriteret që do të duhet të plotësojnë maturantët për t`u përfshirë në sistemin me kohë të pjesshme. Në këtë mënyrë, procedurat e aplikimit nuk do të mund të fillojnë edhe pasi të nisë viti i ri akademik. Burime nga Ministria e Arsimit bën të ditur për gazetën se regjistrimet për këtë sistem do të nisin minimalisht pasi të përfundojnë regjistrimet në sistemin me kohë të plotë, në mënyrë që të mos ketë ngatërresa në shkolla, apo një përsëritje të skenarit të dy viteve më parë, ku regjistrimi përfundoi vetëm pas 11 raundesh, e ku kishin mbetur ende vende bosh në universitete.
Burimet nga ministria, gjithashtu, nuk kanë përjashtuar mundësinë që provimet e Maturës Shtetërore të mos vendosen si kusht për aplikantët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara se ky institucion të merrte jetë.
Kaosi i vitit të kaluar
Gjatë vitit akademik që përfundoi, shkollat e larta publike në vendin tonë nuk kryen studime me kohë të pjesshme, pas një kërkese të ardhur në fillim të vitit akademik nga Ministria e Arsimit, për rifreskimin e programeve shkollore. Ministria kërkoi që sistemi me kohë të pjesshme të zgjaste 4-6 vjet në varësi të shkollës dhe në të të plotësohet e gjithë kurrikula që përdoret për sistemin me kohë të plotë.
Edhe pse shumë universitete i dërguan programet e reja brenda muajit dhjetor, sistemi me kohë të pjesshme nuk u hap, duke hequr mundësinë e fundit që kishte mbetur për shumë maturantë.