E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, hapet gropë karstike në Belsh

ELBASAN- Një gropë karstike, thellësia e së cilës llogaritet mbi 6 metra ndërsa diametri 1,5 metra, është vërejtur mëngjesin e sotëm, në afërsi të Qendrës Shëndetësore të qytetit të Belshit, në zonën e Dumresë, pjesa qendrore e vendit.
Sipas gjeologëve, në thellësi të kësaj grope gjendet ujë dhe formacioni gjeologjik i saj është i tipit gips, i cili në prani të ujërave nëntokësorë tretet duke përbërë kështu një rrezik që duhet frenuar në kohë.
“Fenomeni natyror i krijimit të gropave karstike është bërë i shpeshtë në këtë zonë për shkak të formacionit të saj gjeologjik”, sqarojnë specialistët, duke shtuar se një grup gjeologësh po bën vlerësimin e situatës për të vendosur nëse kjo gropë duhet të mbyllet apo jo.

Gropa të tilla janë shkak i krijimit të një numri të madh liqenesh karstike në zonën e Dumresë. Pak muaj më pare një gropë karstike u shfaq në afërsi të rezervuarit te Kashtës në komunën e Shalsit. Kjo gropë me një thellësi prej 100 metrash dhe me një diametër rreth 30 metra, pas vlerësimit të bërë nga gjeologët u mbyll, duke i hedhur një masë të konsiderueshme dheu.

Proceset dhe format karstike janë fenomene tipike të zonës së Dumresë. Relievi karstik i ka vëne vulën dhe elementeve te tjerë te natyrës, aq sa ne Dumre mund te behet fjalë për peizazhe karstike.
Karsti ne Dumre, në dallim nga zonat e tjera karstike është zhvilluar kryesisht ne gipset dhe anhidridet si në sipërfaqe ashtu edhe në thellësi. Relievi karstik sipërfaqësor përfaqësohet kryesisht nga gropa, të cilat paraqiten në dy tipe: në formë hinke dhe në formë plateje.
Të parat janë më të thella dhe me shpate më të pjerrëta që në disa raste i kalojnë 30-40 gradët. Te dytat paraqiten të cekta dhe me shpate me pjerrësi te vogël, kurse diametri i tyre në shumicën e rasteve lëviz nga 15 ne 30 metra.
Sipas origjinës, mbizotërojnë gropat karstike të krijuara nga tretja, kurse ato të krijuara nga shembja paraqiten të thella, me shpate gati te thikta.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›