Elbasan, shkrumbohet tregu i romëve. Tepelenë, arrestohet një piroman
Elbasan- Piromania e qëllimshme dyshohet të ketë qënë shkaku që ka shkrumbuar totalisht tregun e Romëve në lagjen 5 Maji në qytetin e Elbasanit, duke kërcënuar edhe banesat dhe objektet e ndodhura rreth tij. Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 02:30, bëjnë të ditur forcat policore.
Zjarri ka vijuar deri në orën 05:30, dhe vetëm pas kësaj ore zjarrfikësit e angazhuar mundën ta vënë nën kontroll. Mësohet se ky zjarr ka qënë i qëllimshëm, por ende nuk dihen autorët e mundshëm.
Tepelenë- Ndërkohë policia e Tepelenës ka mundur të arrestojë një 24-vjecar për akuzën e zjarrvënies së qëllimshme. I arrestuari është shtetasi Ergest Mera, i datëlindjes 1989, lindur dhe banues në fshatin Zhapokikë të komunës Luftinjë të rrethit Tepelenë.
Ky shtetas ditën e djeshme në vendin e quajtur përroi i Kallemës, në afërsi të lagjes Mera të fshatit Zhapokikë të komunës Luftinjë të rrethit Tepelenë, i ka vënë zjarrin kullotës, me qëllim rigjenerimin e saj dhe është larguar menjëherë në banesën e tij.
Por si pasojë e erës së fortë zjarri është përhapur në disa drejtime duke përfshirë një sipërfaqje të madhe kullote me barë shkurre dhe koçimare, dhe më pas zjarri ku ka rrethuar lagjen Mera.
Zjarri si pasojë e erës së fortë nuk është mbajtur dot nën kontroll nga banorët e lagjes të cilët kanë dalë menjëherë kur zjarri është afruar afër banesave të tyre dhe kanë lajmëruar Repartin Zjarrfikës si dhe Komisariatin e Policisë Tepelenë.
Brenda pak minutash zjarri ka përfshirë të gjitha kopshtet e banesave të lagjes Mera, kasollet e bagëtive dhe më pas zjarri ka përfshirë edhe një banesë të vjetër të pabanuar, një guzhinë të një banese të banuar si dhe një banesë tjetër të vjetër të rrënuar.
/IDEA/