E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani në qendër të investimeve për trashëgiminë nga BE

08/08/2011  Muze të posaçme në qendrat e zbulimeve arkeologjike

Startojnë tri investimet më të rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore, që do të kushtojnë plot 1,2 milion euro, fond i Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Drejtori i Institutit të Monumenteve Apollon Baçe, i ndjekur nga këshilltari i kryeministrit Neritan Ceka, arkeologë e specialistë të trashëgimisë kulturore, kanë parë nga afër fillimin e punimeve në bazilikën paleokristiane e më pas në rrugën përmes kalasë dhe në kullat anësore, ku është edhe dalja e rrugës antike romake “Egnatia”. Punimet për këto investime do të bëhen nga një firmë italiane, që ka fituar tenderin, ndërkohë supervizimi do të bëhet nga Instituti i Monumenteve dhe Supervizorë Italianë. Në një intervistë drejtori i Institutit shpjegon detaje të tri projekteve që do ta kthejnë Elbasanin në një itinerar të rëndësishëm turistik.

- Tashmë kanë filluar punimet për pastrimin e sipërfaqes së bazilikës dhe fillimin e gërmimeve. Pritet që shumë shpejt të bëhet publik projekti se si do të jenë këto tri pika të rëndësishme të rrënojave arkeologjike në Elbasan. Sipas të dhënave, në vendin ku është zbuluar bazilika paleokristiane ndodhet një lagje romako-bizantine, që shtrihet përgjatë gjithë lulishtes Aqif Pasha. Sipas supervizorëve të projektit, në bazë të kontratës afati i përfundimit është 1 vit e 5 muaj, por pritet që të dorëzohet brenda një viti.

Është një projekt që ndahet në tri pjesë dhe do të kushtojë 1,2 milion euro. Projekti i parë, ai i bazilikës, që do të fillojë i pari, parashikon që më parë të bëhen gërmimet arkeologjike dhe më pas do të mbulohet e do rrethohet me kangjella. Do të vendoset një minimuze i vogël. Do të rrethohet nga sipërfaqe me bar e lule, pasi sot është në një gjendje katastrofike. Kemi biseduar me kryetarin e bashkisë Qazim Sejdini dhe jam i lumtur që kam një partner shumë të mirë dhe është shumë i gatshëm për gjithçka që duhet bërë. Bashkia e Elbasanit është një ndër rastet më të mira të bashkëpunimit si në Berat e Shkodër.

- Konkretisht çfarë do bëhet në Bazilikë?

- Fillimisht do të bëhen gërmime arkeologjike. Në fillim fondet janë të qendrës. Janë 3 mijë dollarë të Qendrës Albanologjike, me të cilat do të mundohemi të gjejmë konturet se cila ka qenë sipërfaqja e këtij objekti. Më 11 gusht vjen ekipi i supervizorëve italianë dhe unë si supervisor i palës shqiptare dhe besoj që nga fillimi i shtatorit do të fillojnë punimet. Gërmimet e mozaikut më parë dhe nëse zbulohet mozaik tjetër konstruksioni me xham, që është eksperimentale, nuk ka në Ballkan të tillë, vetëm në Itali kam parë të tilla, atëherë do të shtohet edhe pjesa tjetër. Me anë të arkitektit arkeologut do të mundohemi të mos bëjmë ndonjë anastiloze, me një fjalë të ngrihen kolonat dhe në fund të ketë një minimuze, një kapanon, ku do të vendosen objektet që do dalin nga gërmimet. Është me të vërtetë një nga rastet fatlume dhe një ndër objektet e pakta që është në dokumentet historikë Kur vjen Papa Hormus, të deleguarit e tij mbeten aq të mahnitur, saqë i bëjnë një letër me ato lavdet maksimale. Pra, këtë e gjejmë që në shekullin V në dokumentet historikë.

- Disa detaje të punimeve që do të bëhen për rrugën “Egnatia” dhe për kullat dalëse?

- Mes për mes kalasë kalonte rruga “Egnatia” dhe ne këtë do të mundohemi të rikthejmë. Projekti është një lloj respekti i asaj pjese që kalon në Elbasan. Faktikisht kalldrëmi i vjetër mund të jetë 1.5-2 metra nën rrugën aktuale dhe ne do të kujdesemi për fasadat në këtë pjesë. Ndërkohë në dy kullat dalëse një investitor vendas do të investojë në bazë të kritereve tona. Hyrja e rrugës dhe e kalasë është bllokuar nëpërmjet ndërtimeve, një prej të cilave është bërë mbi kullë dhe kështu ne do të mundohemi të rikthejmë kullat dalëse dhe një fragment të rrugës.

Ne do të mundohemi të gjejmë identitetin e kësaj rruge dhe vështirë ta gjejmë në shumicën e saj. Do të nxjerrim në pah një trakt të rrugës antike, pra pjesa romake do të jetë në dhe do të kalohet me një pjesë xhami, që do të shfrytëzohen edhe si lokale. Për sa i përket ndriçimit, ne kemi gjetur ndriçimin që i përshtatet mesjetës. Mendoj se me përfundimin e investimit Bashkia do ta mbyllë e do ta bëjë një rrugë pedonale.

- Elbasani e meriton të jetë në guidën e destinacioneve turistike kulturore shqiptare?

- Që në shekullin e 17-të me Çelebiun është dëshmuar se Elbasanasit e duan të bukurën. Elbasani do të ketë një monument kulture në qendër të qytetit i trajtuar me kulturë. Ky territor është në vetvete në një intinerar turistik. Kam dëgjuar turistë gjermanë e spanjollë se nuk e njohin e duan ta njohin Elbasanin. Është një qytet që pak nga pak ne duhet tani të kthejmë fytyrën nga ana estetike. Elbasani do të jetë një ndër pikat e rëndësishme, pra “tehu i diamantit”. Ky intinerar do të fillojë me Bradasheshin, me stacionin “Ad Quintum”, ku do të hiqen objektet e vjetra dhe të vazhdojë në Elbasan për të parë më pas hamamet etj. Duhet fillimisht alfa që të kesh omegën në fund.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›