E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: I pamundur furnizimi me ushqim dhe ilaçe

06/01/2010  Kryeparlamentjarja paralajmëron banorët në rast të përkeqësimit të situatës
SHKODER- Kryetarja e Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli, ka vijuar edhe dje në komunën e Dajçit, apelin e saj drejtuar banorëve për të mundësuar evakuimin e zonave tashmë të përmbytura nga uji. Apeli i Topallit erdhi gjatë vëzhgimit nga afër të situatës së bashku me Kryeministrin Berisha. Numri një i Parlamentit, Topalli, u kërkoi të gjithë banorëve dhe veçanërisht kryefamiljarëve të zonës së Dajçit që të bashkëpunojnë me të gjitha strukturat e policisë të ushtrisë, të shtabit të emergjencave civile në mënyrë që të realizohet sa më shpejt largimi i të gjithë banorëve nga rreziku që i kanoset. Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Dajçit Topalli i kërkoi atyre të mos bëheshin pengesë për evakuim, por përkundrazi të jepnin kontributin e tyre për largimin e të gjithëve nga zonat e përmbytura ku situata nuk dihet se si do të precipitojë për shkak të reshjeve të shumta dhe detyrimit të hidrocentraleve për hapjen e portave. Njëkohësisht Topalli i ka garantuar sërish banorët se të gjitha dëmet financiare që do u shkaktohen nga përmbytjet do të kompensohen nga qeveria, ndaj nuk duhet të mendonin për shtëpitë e bagëtitë, por kryesisht për jetët e fëmijëve të tyre e të gjithë familjeve”. Ajo që unë kam për detyrë t’i them banorëve si deputete e kësaj zone është: Ju lutem largohuni nga zona, ju lutem bashkëpunoni me ushtrinë, me shtetin për shpëtimin e jetëve. Ajo është gjëja më e shtrenjtë që kemi. Dëmet që mund të vijnë gjatë ditëve të ardhshme për shkak të këtij moti të çmendur do të kompensohen dhe dëmshpërblehen nga shteti”, theksoi Topalli.
Ndërkohë Topalli gjatë komunikimit me banorët u bëri të ditur atyre se në këtë situatë që janë ata kanë vështirësi në ushqim në ujë të pijshëm dhe medikamente, vështirësi që po kalohet në sajë të ndihmave që po u jepen, por në rast se situata do të rëndohet do të këtë vështirësi akoma më të mëdha për t‘i furnizuar ata me ujë e ushqime. Njëkohësisht Topalli ka bërë të ditur se prurjet e mëdha të këtyre dy javëve të fundit kanë bërë që hidrocentralet të shkarkojnë ujë pak e nga pak duke ndikuar në shpëtimin e jetëve të banorëve dhe moskrijimin e një katastrofe që në fillim të prurjeve, ashtu siç ka ndodhur në vitin 2003, ku u shkaktuan dëme të jashtëzakonshme për shkak të shkarkimeve të menjëhershme pa lajmëruar që arrinin në 2300 metër kub për sekondë. Aktualisht bëri të ditur Topalli ka nivele dhe prurje të mëdha të lumit Drin, Gjadër, Bunë dhe Kir, si dhe të liqenit të Shkodrës. Kjo situatë dhe reshjet që bien pa pushim do të detyrojnë teknicienët që të hapin portat e të tre hidrocentraleve, çka do të përkeqësojë edhe më tej situatën, ndaj evakuimi duhet të jetë emergjent për të eliminuar çdo rrezik për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›