E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia elektrike ul inflacionin

Çmimi i naftës pëson rritje në mars, pas 6 muajsh rënie. Inflacioni për marsin, 1.6%

Çmimi i naftës për muajin mars, ka pësuar rritje, duke shënuar kthesën e parë, që nga muaji gusht i vitit të kaluar.


Raporti mujor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit për muajin mars, tregon për një rritje prej 3% të çmimit të naftës dhe 0.6% të benzinës. Në total, grupi "Transport" ka pësuar një rritje çmimesh prej 0.8%. Inflacioni për këtë muaj ka shënuar nivelin e 1.6 përqindëshit, niveli më i ulët i dy viteve të fundit, ndërkohë që në mars të vitit të kaluar, ai arriti në 4.6%.

Ekspertët e INSTAT-it thanë se, rritja e tij në mars të 2008-ës, i dedikohet rritjes së çmimit të energjisë elektrike në masën 16%, e cila është një nga zërat kryesorë në shportën e mallrave të konsumit, prej së cilës llogaritet ky indeks.

Që nga fillimi i vitit, inflacioni ka përjetuar një trend rënës, ku në janar shënoi 2.1%, në shkurt, 1.9% dhe në mars 1.6%, më poshtë së kufiri minimal prej 2%, që është vënë si objektiv.

Vetë Banka e Shqipërisë, në deklaratën e saj publike, ka bërë me dije se ky tregues mund të bjerë përkohësisht nën kufirin e poshtëm të përcaktuar, por pritet të luhatet pranë këtij objektivi në pjesën më të madhe të vitit. Produktet ushqimore shënuan një rritje prej 1.4%, ndërsa çmimet e frutave dhe perimeve për marsin, e kaluan nivelin e 5 përqindëshit.

Ndërkohë që, pjesa tjetër e mallrave të shportës së konsumit për muajin mars të këtij viti, ka shënuar luhatje thuajse të papërfillshme të çmimeve, krahasuar me muajin paraardhës. Në total, çmimet kanë qenë 0.6% më të shtrenjta në mars, krahasuar me muajin shkurt.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›