E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha po thellon krizën, duke shpërdoruar buxhetin

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi dje pas deklaratave të FMN-së mbi parashikimin e rritjes ekonomike për këtë vit.

"Duke i rënë më fort se asnjëherë tjetër kambanës së alarmit për qeverinë shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se vendi shkon drejt rritjes ekonomike zero dhe përdorimi i mëtejshëm i të ardhurave për shpenzime e investime elektorale, kërcënon drejtpërdrejt buxhetin e rrogave e të pensioneve",- tha Rama.

Ai tha se qeveria po injoron pasojat sociale të prekjes së vendit nga kriza. Kryetari i PS-së kërkoi nga Kryeministri Berisha të dëgjojë rekomandimet e FMN-së dhe Bankës Botërore dhe thirrjet e vazhdueshme të opozitës për të mos rritur shkallën e rrezikut, duke thelluar borxhin për shpenzime të papërgjegjshme elektorale, për të mos aplikuar paga reference e gjoba abuzive mbi biznesin dhe për të mos rrënuar themelet e shtetit të të gjithëve, për interesat e pushtetit të disave.

"Ne nuk duam thellimin e krizës, për të thelluar avantazhin tonë elektoral, po duam përballimin e krizës, për të mos lejuar thellimin e disavantazheve ekonomike e shoqërore për familjet shqiptare",- tha kryetari i PS-së.

Ndërkohë, Partia Demokratike reagoi menjëherë pas deklaratës së Ramës, duke a akuzuar atë se ka 3-4-fishuar taksat për biznesin e vogël.

"Për sa u përket rrogave e pensioneve, i themi z. Rama se kjo qeveri disponon fondin e plotë për t'i rritur ato qindarkë për qindarkë, siç ka premtuar dhe se zotëron të gjitha mjetet për plotësimin e të gjitha kërkesave të buxhetit të vitit 2009, të votuar në Parlament"-, tha zëdhënësja e kësaj partie, Erla Mëhilli.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›