E Shtunë, 31 Tetor 2026

Engel: Partitë politike tu kërkojnë përkrahësve të pajisen me karta

Kongresmeni amerikan Eliot Engel gjatë zhvillimit të seancës me temë Zgjedhjet në Shqipëri, mbajtur në Komisionin e Helsinkit të Kongresit Amerikan e ka cilësuar kërcënimin e PS për bojkotin e zgjedhjeve, ndjesi humbjeje të kampit rozë. Sipas tij, kjo gjë ka ndodhur edhe më parë. Një nga gjërat, për të cilat kam qenë i shqetësuar është se përpara se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste të merreshin me debatin për kartat e identitetit, Partia Socialiste e Edi Ramës, kërcënonte me bojkot të zgjedhjeve. Dhe sigurisht, mendimi im është që nëse një parti e ndjen se do humbasë dhe pastaj thotë se do të bojkotojë zgjedhjet, duke dalë me arsye të tilla, që gjërat nuk janë të drejta. Kjo nuk mund të jetë domosdoshmërish e vërteta, sepse nëse je duke humbur, ti bojkoton dhe thua se gjërat nuk janë të drejta, ka nënvizuar Engel duke shprehur shpresën për mosbojkotim të zgjedhjeve. Sipas tij në çdo zgjedhje ka vështirësi, mbi të cilat duhet të punohet, duke veçuar faktin se do të zhvillohen zgjedhje të lira e të drejta. Ligjvenësi Eliot Engel, i cili ka qenë vet kohët e fundit në Shqipëri, identifikoi problemin e kartave si një prej shqetësimeve kryesore për këto zgjedhje, por tha se përshtypja që i ishte krijuar atij, ishte se banorët që duan të pajisen me karta, me gjithë vështirësitë, mund ti marrin ato. Problemi kryesor në këto zgjedhje janë kartat e identitetit. Kjo është hera e parë që zgjedhjet në Shqipëri bëhen me karta identiteti. Problemi është se shumë njerëz nuk kanë paraqitur kërkesë për to. Shqetësimi i të gjithëve është që njerëzit që duan të votojnë të arrijnë të marrin një kartë para zgjedhjeve në mënyrë që të votojnë. Qeveria pretendon se të gjithë do të pajisen me karta. Partia Socialiste thotë është e pamundur. Sipas mendimit tim, njerëzit që duan të kenë karta mund ti marrin ato. Mund tu duhet pak kohë, por mund ti marrin. Unë do tu bëja thirrje të dyja partive tu kërkojnë përkrahësve të pajisen me karta", theksoi ai. Kongresmeni amerikan ka bërë një pasqyrë të plotë të zhvillimeve në Shqipëri duke vlerësuar transformimin e dukshëm në këto vite. Në seancën me temë Zgjedhjet në Shqipëri, mbajtur në Komisionin e Helsinkit të Kongresit Amerikan këtë seancë, ku referuan edhe disa kongresmenë e zyrtarë të tjerë, Engel, një njohës mjaft i mirë i zhvillimeve në Shqipëri, duke iu referuar raporteve të Ambasadës Amerikane në Tiranë, shprehu bindjen se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë të lira e të drejta. Ndonëse mendimi i analistëve ishte se Shqipëria ka një rast të mirë për të treguar pjekurinë e demokracisë së saj, shqetësimi mbetet i pranishëm në se zgjedhjet do ti plotësojnë apo jo standardet ndërkombëtare dhe vlerësimin përfundimtar për to do ta japin vetë qytetarët shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›