E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enigma QPR

Queens Park Rangers bëri investime të mëdha gjatë verës, por ekipi mbetet pa fitore pas 12 xhirove të para në Premierligë. Çmimin për to e pagoi menaxheri Mark Hughes, që u shkarkua të premten. Ish strategu i Tottenhamit, Harry Redknapp, është favorit për të zgjidhur ‘enigmën QPR. Kurse, statistikat sugjerojnë se shumica e skuadrave me nismë kaq të dobët kanë rënë nga liga.

Rezultatet e dobëta pas investimeve të mëdha zakonisht përfundojnë me shkarkimin e trajnerit. Kështu ndodhi edhe te Queens Park Rangers, që liroi nga detyra menaxherin Mark Hughes pas 12 xhirove pa fitore këtë stinor në Premierligë.

Pavarësisht përforcimeve të mëdha të bëra gjatë afatit kalimtar të verës, skuadra është në krizë të rezultateve. Portieri Julio Cesar, mbrojtësi Jose Bosingwa, mesfushorët Esteban Cambiasso, Park Ji-Sung dhe Stephane Mbia si dhe sulmuesit Djibril Cisse e Bobby Zamora, të gjithë përforcime të ardhura këtë stinor në QPR, nuk kanë qenë në gjendje t’i ndihmojnë ekipit të realizojë parashikimet e caktuara.

Pas 12 xhirosh, ekipi gjendet në pozitën e fundit në Premierligë me vetëm katër pikë. Çmimin e pagoi Hughes, deri këtë javë vazhdimisht i përkrahur për të udhëhequr skuadrën. Por, të premten erdhi shkarkimi.

“Rrethanat në të cilat gjendemi kanë lënë bordin e drejtorëve me pak mundësi të tjera përveç ndryshimit”, thuhet në komunikatën e publikuar në ueb faqen zyrtare të QPR-së. Ish menaxheri i Tottenham Hotspur, Harry Redknapp, është favorit për të marrë detyrën në Loftus Road.

Por, Redknapp tha për BBC Sport se tifozët duhet të “presin dhe të shohin” nëse ai do të emërohet menaxher i ri, duke shtuar se ende nuk ka bërë kontakt të drejtpërdrejtë me QPR-në. Klubi theksoi se është duke “punuar rreth krijimit të një strukture të re udhëheqëse sa më parë që është e mundur”.

Asistentët Mark Bowen dhe Eddie Niedzeiecki do ta drejtojnë ekipin në ndeshjen kundër Manchester Unitedit të shtunën. Ndeshja e fundit në detyrë për Hughesin ishte disfata nga Southampton.

Kurse, nëse konsultohemi me statistika, ato sugjerojnë se QPR do ta ketë mjaft vështirë të sigurojë mbijetesën këtë stinor. Në të kaluarën, skuadra të cilat nuk kanë fituar asnjë ose vetëm një prej 12 dueleve të para, shumica kanë humbur statusin në elitë.

I vetmi përjashtim është Evertoni që në edicionin 1994-95 ishte pa fitore pas 12 xhirove të para, por në fund mbijetoi në Premierligë. Skuadra si Sheffield Wednesday, Swindon, Manchester City dhe Sunderland u përshëndetën nga elita pas nismës së ngjashme me QPR-në.

Nismat më të dobëta pas 12 ndeshjeve të para:

Everton 1994-1995: Fitore 0, barazime 4, humbje 8. Pozita përfundimtare: 15.

QPR 2012-2013: Fitore 0, barazime 4, humbje 8. Pozita aktuale: 20.

Sheffield Wednesday 1990-2000: Fitore 1, barazime 2, humbje 9: Pozita përfundimtare 19.

Swindon 1993-94: Fitore 0, barazime 5, humbje 7. Pozita përfundimtare: 22

Man City 1995-96: Fitore 1, barazime 2, humbje 9. Pozita përfundimtare 18.

Sunderland 2005-06: Fitore 1, barazime 2, humbje 9. Pozita përfundimtare 20.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›