E Diel, 1 Nëntor 2026

Ervin Skela kalon në Kampionatin polak

TIRANE-  Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela, duket se e ka gjetur më në fund destinacionin e tij për këtë sezon.

Skela braktisi kategorinë e pestë gjermane për t’u bashkuar me Arkën e Gdinjës, skuadrën e kategorisë së parë polake, për të cilën do të luajë deri në fund të sezonit, informon sot Atsh.

Rikthimi i Skelës në radhët e një klubi profesionist edhe pse larg Gjermanisë, bëhet për të pasur akoma shanse për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar.

Në fakt vetë trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, do të shkonte në Gjermani këtë javë për të takuar personalisht Ervin Skelën dhe Altin Lalën, për të diskutuar mbi të ardhmen e tyre me fanellën kuq e zi.
Sot Skela do të prezantohet përpara tifozëve të rinj dhe do të zhvillojë stërvitjen e parë me ekipin, i cili mund t’i ofrojë atij një tjetër mundësi për t'u grumbulluar me Kombëtaren shqiptare.

Skela ka zhvilluar 71 ndeshje dhe ka shënuar 13 gola për Shqipërinë, ndërsa për klubet ka luajtur për Union Berlinin, Auen, Kemnicerin, Manhajmin, Frankfurtin, Bilefeldin, Kaizerslauternin, Kotbusin dhe Koblencin në Gjermani si dhe pak për Askolin në Serinë A.
(atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›