E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshtrat e ushtarëve grekëve do të prehen në tokën shqiptare

23/04/2009  Qeveria miraton projektligjin për ngritjen e varrezave të ushtarëve helenë

Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin që ratifikon marrëveshjen me qeverinë greke për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941 dhe ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë Shqipëria do të lejojë ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë që kanë vdekur në tokën shqiptare gjatë luftës italo-greke, pjesë e Luftës së Dytë Botërore. Gjatë negociatave për përpilimin e tekstit të marrëveshjes, pala greke ka qenë e mendimin që Kisha Ortodoske të luante një rol të caktuar në zbatimin e saj, duke nënvizuar traditën e tyre të besimit ortodoks. Por ky pretendim është rrëzuar nga pala shqiptare me argumentin se shteti shqiptar është laik, i ndarë nga feja dhe institucionet fetare, për pasojë Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nuk mund të përfshihet në marrëveshje. Marrëveshja saktëson vendet ku do të ngrihen varrezat. Kështu, është rënë dakord që eshtrat të prehen në dy varreza: njëra pa hyrë në qytetin e Këlcyrës, rrethi i Përmetit, përgjatë rrugës Lekël–Këlcyrë, me sipërfaqe 10 mijë metra katrorë, ku do të mblidhen eshtrat e gjithë të rënëve grekë në Shqipëri; e dyta do të jetë në fshatin Bularat të Gjirokastrës, varrezë ekzistuese me 59 varre. Por është marrë parasysh se, nëse për shkaqe të detyrueshme publike sheshi i caktuar do të nevojitet për një qëllim tjetër, atëherë qeveria shqiptare do të vërë në dispozicion të qeverisë greke një sheh tjetër. Sipas marrëveshjes, trualli për ndërtimin e këtyre varrezave do të ofrohet nga qeveria shqiptare. Marrëveshja saktëson se të gjitha shpenzimet lidhur me kërkimin, varrimin, identifikimin dhe ngritjen e vendprehjeve përkatëse do të mbulohen nga pala greke. Palës shqiptare i kërkohet vetëm mbështetje mbi të dhënat dhe informacionet e nevojshme. Gjithashtu në këto varreza do të vendosen edhe eshtrat e personave të tjerë, që kanë shoqëruar dhe kanë qenë pjesëtarë të ushtrisë greke, si anëtarë të Kryqit të Kuq, priftërinj apo personal mjekësor. Në marrëveshje thuhet se është parashikuar që të kryhen ceremoni zyrtare në kujtim të të rënëve, që do të organizohet nga përfaqësues të qeverisë së Tiranës dhe të Athinës çdo 28 tetor, datë e cila përkujton nisjen e luftës italo-greke. Çështja e ndërtimit të varrezave për ushtarët grekë rënë në territorin shqiptar është ngritur nga pala greke në vitin 2005. Ka qenë ambasada helene në Tiranë, e cila iu drejtua me një shkresë komunës Qendër, Tepelenë, për të parë mundësinë e rrethimit të një varreze për ushtarët grekë pranë fshatit Dragot. Më pas, më 10 shkurt 2006, ambasada greke në Tiranë ka përcjellë pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe për dijeni të Ministrisë së Punëve të Jashtme tekstin e protokollit për ndërtimin e varrezave. Në datat 11 e 12 prill të vitit të kaluar u zhvilluan konsultimet mes përfaqësuesve të dy ministrive të Mbrojtjes së dy shteteve. Pas shqyrtimit të çështjes u ngrit një komision i palës shqiptare për të punuar mbi marrëveshjen. Gjatë vitit 2008 janë zhvilluar tri raunde negocimi për tekstin e marrëveshjes nga komisioni i përbashkët greko-shqiptar.

Vizita e kryeministrit Kramanlis

Vendimi i qeverisë shqiptare për miratimin e projektligjit, i cili ratifikon marrëveshjen me ekzekutivin grek për ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë, është marrë vetëm katër ditë para se në vendin tonë të mbërrijë kryeministri i shtetit helen Kostas Karamanlis. Gjatë kësaj vizite dyditore mësohet se shefi i ekzekutivit të Republikës së Greqisë do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, me përfaqësues të minoritetit grek, me Kryepeshkopin Janullatos. Po ashtu Karamanlis do të marrë pjesë në inaugurimet e investimeve të qeverisë që drejton në vendin tonë. Kreu i qeverisë helene do të zhvillojë një takim të veçantë me homolun e tij shqiptar Sali Berisha.

Vendndodhja e varrezave

Qeveria shqiptare do të vërë në dispozicion hapësirat e nevojshme për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas marrëveshjes, është rënë dakord që të ndërtohen dy varreza: e para do të jetë pranë qytetit e Këlcyrës, me sipërfaqe 10 mijë metra katrorë, ndërsa varreza e dytë do të jetë në fshatin Bularat të Gjirokastrës, varrezë ekzistuese me 59 varre.

Konsultimet për marrëveshjen

Më 11 e 12 prill të vitit të kaluar u zhvilluan konsultimet mes përfaqësuesve të dy ministrive të Mbrojtjes së dy shteteve, ku i diskutua për marrëveshjen e propozuar nga pala greke, e cila parashikonte ndërtimin e tri varrezave. Pas shqyrtimit të çështjes u ngrit një komision i palës shqiptare për të punuar mbi marrëveshjen. Gjatë vitit 2008 janë zhvilluar tri raunde negocimi për tekstin e marrëveshjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›