E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në sytë e CIA-së dhe KGB-së

Flasin dy oficerë të lartë të agjenturave më të fuqishme të Luftës së Ftohtë

Dy oficerë të lartë të shërbimeve sekrete më të fuqishme të botës, CIA-s dhe KGB-së rrëfejnë dështimet dhe sukseset e këtyre shërbimeve në Shqipëri. Pohimet e Peter Earnest të CIA-s dhe Oleg Kalugin të KGB-së tregojnë se operacionet e agjenturave të huaja në vendin tonë nuk kishin atë rëndësi të cilën ne u kemi veshur. Për Uashingtonin dhe Moskën, Tirana nuk kishte kurrfarë rëndësie strategjike, por pati raste kur këtu u zhvilluan ngjarje të mëdha të shërbimeve sekrete të dy superfuqive.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë në Shqipëri ne na thuhej se dy armiqtë më të ashpër të sistemit tonë të mënyrës sonë të jetës ishin CIA dhe KGB. A mendoni ju se të dyja këto institucione me të vërtetë shqetësoheshin seriozisht për vende të vogla si Shqipëria, të cilat nuk ishin të rëndësishme në skenën e gjeo-politikës botërore?

Peter Earnest: Unë mendoj, dhe këtë mendim e kam bazuar në ato që kam dëgjuar, pasi në atë kohë nuk kam qenë pjesëtar i operacioneve, duke qenë se isha shumë i ri, se në fillimet e Luftës së Ftohtë dhe konkretisht në fundin e viteve ’40, Shqipëria erdhi në vëmendjen e Perëndimit konkretisht të amerikanëve dhe britanikëve si një vend i cili mund të shkëputej nga Blloku Lindor, nga vendet e Traktatit të Varshavës. Po kështu mendoj se kishte interes për të mbledhur informacione mbi Shqipërinë dhe siç mund ta dini edhe nga botimet disa njerëz janë dërguar në Shqipëri në mënyrë të fshehtë me detyrë mbledhjen e informacionit. Sipas asaj që unë di, ne mendojmë se një pjesë e madhe e tyre u tradhtuan nga një agjent i KGB brenda Shërbimit Sekret Britanik, Kim Filbi, dhe ajo që dimë është se pjesa më e madhe e tyre u kapen u gjykuan apo u ekzekutuan. Unë nuk mendoj se ne kishim interes për të mbledhur informacione të mëtejshme mbi Shqipërinë, pasi për vite të tëra për ne Shqipëria ishte një ndjekës i vijës së ashpër komuniste dhe nuk mendonim se luante ndonjë rol të rëndësishëm në Bllokun Sovjetik. Për këtë arsye, unë mendoj se nuk pati më përpjekje për të mbledhur informacione apo për të rekrutuar njerëz atje. Unë e kuptoj përse brenda vendit dikush dëshironte ta theksonte rolin e CIA-s në këtë çështje, por në eksperiencën time nuk kam parë ndonjë përpjekje serioze nga ne për të rekrutuar njerëz brenda Shqipërisë.

Po nga KGB si është parë? A është parë Shqipëria si një lojtar i rëndësishëm?

Gjenerali Kalugin: Shqipëria shikohej nga ne si një prej aleatëve më besnikë të Bashkimit Sovjetik dhe me Jugosllavinë, e cila tradhtoi stilin e komunizmit të Moskës, si dhe me Poloninë në kaos dhe më vonë me problemet në Hungari, na la ne me jo shumë aleatë. Të mos harroj Bullgarinë, e cila ishte në fakt një aleat besnik i Bashkimit Sovjetik.

Konferenca e Jaltës ishte shumë e rëndësishme për kufijtë e rinj të Europës. Një vit pas Jaltës kur u vendosën influencat në Europë Shqipëria u zgjodh nga shërbimet sekrete angleze të mbështetura nga ato amerikane si vendi ku do të fillonin operacionet sekrete kundër sistemit. A dini vallë përse Shqipëria u zgjodh si vend kyç për këto operacione?

Peter Earnest: Të them të vërtetën unë nuk e di se përse e zgjodhën Shqipërinë dhe cili ishte vendimi operacional, por siç thashë edhe më përpara Shqipëria dukej si një vend i cili mund të tërhiqej lehtësisht nga influenca sovjetike dhe Traktati i Varshavës. Sinqerisht, unë nuk e di me saktësi arsyen, por kjo që thashë më lart ishte ideja që kam krijuar gjatë trajnimit tim.

është interesant fakti se në këtë periudhë persona shumë të rëndësishëm të CIA si Frank Wisner, James Jesus Angelton etj., u angazhuan në operacionet shqiptare. Për një kohë të gjatë në Shqipëri, njerëzit që janë marrë me këto çështje kanë qenë të habitur që këto personazhe ishin të përfshira në Shqipëri. A mendoni ju se KGB solli në ndihmë të Shërbimit Sekret Shqiptar oficerë të rëndësishëm të nivelit të CIA-s, pasi KGB ishte shumë e suksesshme në ndihmën që u dha shqiptarëve?

Gjenerali Kalugin: Kjo është e vërtetë, në kohën e okupacionit sovjetik të Lindjes, në fillim në disa prej vendeve mike ne arritëm të instalonim disa njerëz në qeveritë, të cilat kishin dalë nga lufta. Njerëz që ishin dalluar si antifashiste apo patriotë. Shqipëria në atë kohe ishte e pavarur dhe autentike dhe që kishte imazhin e saj dhe respektohej shumë nga ne. Lideri i saj, Enver Hoxha, shikohej në Bashkimin Sovjetik si një prej njerëzve më besnikë ndaj nesh.

Në njohuritë tuaja a mendoni se një prej arsyeve që KGB dhe CIA u përplasën në Shqipëri kishte të bënte me çështjen greke? A trajnonte KGB komunistë grekë brenda Shqipërisë dhe ndoshta kjo mund të ishte një prej arsyeve të përplasjes së dy shërbimeve?

Gjenerali Kalugin: Sovjetikët luajtën një rol të madh në Luftën Civile Greke dhe në fakt, ata shpresuan se Greqia do të hynte në Bllokun Sovjetik dhe Greqia ishte në shënjestrën tonë. Komunistët grekë u trajnuan prej nesh u armatosën dhe bënë një punë të madhe megjithëse në fund humbën.

Nga ato që kemi lexuar nga botimet brenda dhe jashtë Shqipërisë personi që ka tradhtuar operacionet sekrete të viteve 45-55 ku komando u infiltruan brenda Shqipërisë ishte Kim Filbi. Në mendimin tuaj a ishte Filbi ai që tradhtoi këto operacione?

Gjenerali Kalugin: Nga ajo që unë di mendoj se ai ishte një prej personave kryesorë që tradhtuan interesat e Perëndimit në atë zonë. Mos harrojmë se ai ishte përgjegjës kryesor për disa nga operacionet dhe ai u kalonte informacione sovjetikeve, të cilët ishin në dijeni të plotë se çfarë po ndodhte dhe në këtë sens ai luajti një rol historik në shumë ngjarje në Europë. Unë kam qenë përgjegjës për të në vitet e fundit të jetës së tij kur ai jetonte në Moskë. U bëmë shumë miq dhe ai më tregonte plot histori të jetës së kaluar mbi operacionet e drejtuara prej tij dhe në fakt, këto histori ai i ndante edhe me studentët e KGB. Përpara se të vdiste ai u bë edhe profesor instruksioni në Shkollën e Kundërzbulimit të KGB.

A i përmend Filbi shpesh operacionet në Shqipëri?

Gjenerali Kalugin: Patjetër që po dhe në fakt ai ishte shumë krenar për rolin e tij në operacionet shqiptare për të cilat ne ishim në dijeni të plotë.

Ekziston një mendim në Shqipëri në radhët e oficerëve të Shërbimit Inteligjent Shqiptar se në fakt, amerikanët fajësuan Filbin për gjithçka që ndodhi me këto operacione dhe si rusët si shqiptarët në heshtje e pranuan këtë fakt me qëllim që të mos zbuloheshin burimet e tjera të informacionit që ata kishin në kampet e refugjatëve politikë në Perëndim nga ku përzgjidheshin njerëzit që dërgoheshin me mision në Shqipëri. A mendoni se kjo hipotezë është e mundur?

Peter Earnest: Nga ajo që unë kujtoj mund të them se ne e konsideronim Filbin si personin kryesor të kësaj historie. Ai u dha sovjetikeve dhe KGB informacion mbi planet amerikane dhe britanike në Shqipëri. A kishte penetrime dhe burime të tjera informacioni, unë nuk e di. Deri më sot nuk kam parë asnjë të re në këtë drejtim apo asnjë emër të ri të dalë nga arkivat e KGB. Ndoshta ju dini diçka më shumë?

Gjenerali Kalugin: Filbi ishte njeriu kryesor i penetrimit sovjetik në çështjet e Europës Lindore. Ai luajti një rol të rëndësishëm historik në këtë çështje

Kur Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës a filluat ta vështronit Shqipërinë përsëri? A kishte interes Shqipëria për Ju në këtë periudhë?

Peter Earnest: Shikoni, janë dy gjëra në këtë çështje, duhet ta kinin parasysh se CIA është një agjenci inteligjence dhe kur ju thoni se ajo mund të shikonte drejt Shqipërisë ky është një vendim që i përket politikës, që mund të vinte nga Shtëpia e Bardhë apo nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë, apo Departamenti i Shtetit. CIA, sigurisht, ka fjalën e vet në këtë rast dhe analistët e saj japin mendimet e tyre, por sigurisht që ky vendim nuk vjen nga CIA. CIA nuk mund të thotë hajde shkojmë të bëjmë diçka në Shqipëri. Ky vendim i përket lidershipit të vendit dhe sigurisht që mund të jetë një vendim i klasifikuar apo sekret dhe CIA drejtohet për të bërë këtë gjë apo diçka tjetër. Deri më tani nuk jam në dijeni të një vendimi të tillë mbi Shqipërinë.

Mbas largimit nga Traktati i Varshavës, Shqipëria u afrua shumë me Kinën. Mos vallë në atë periudhë ju filluat ta vështronit përsëri Shqipërinë? Duke vështruar Shqipërinë mos ndoshta ju donit të kuptonit se çfarë ndodhte në Kinë?

Peter Earnest: është një pyetje shumë interesante dhe ndershmërisht nuk e di përgjigjen. Mënyra se si ju e bëtë pyetjen, “ndoshta” mund ta vëzhgonit Kinën nëpërmjet Shqipërisë? Kina është një vend gjigant dhe i dominuar nga lidershipi i saj dhe sigurisht që ishte një çështje interesante që Shqipëria ishte aleate e Republikës Popullore të Kinës, por megjithatë nuk mund të thuash se nuk kishte interes. Megjithatë, një nga burimet tona më të mira në Traktatin e Varshavës dhe politikat e këtyre vendeve ishte një oficer i quajtur Rishard Kuklenski, i cili ishte në Shtabin e Përgjithshëm polak dhe ishte i përfshirë në çështjet e Traktatit të Varshavës dhe syri ynë më i vlefshëm në këtë aleance ishte një oficer polak. Prandaj nuk mund të thuash që një vend aleat i një vendi të madh si Kina nuk mund të të ndihmojë ty nëse ti e vëzhgon atë.

Gjeneral Kalugin: Jo jo, nuk e kemi vëzhguar Shqipërinë në atë kohë. Për KGB, Kina ishte një dhimbje koke dhe nuk bënim dot gjë nuk rekrutonim dot njerëz atje, pasi Shërbimi Sekret Kinez ishte shumë i aftë dhe njerëzit në përgjithësi ishin besnikë të regjimit dhe kishin frikë të komunikonin me të huajt dhe dukej që ishte një sistem i stilit sovjetik. Në këtë këndvështrim edhe Shqipëria ruajti të njëjtin sistem sipas asaj që di unë dhe sigurisht, Kina ishte një aleat natyral që jepte jo vetëm ndihmë teknike, por edhe ideologjike dhe kjo në një farë mënyre e bëri Shqipërinë të pavarur, pasi Kina ishte në kurrizin tonë.

Gjatë periudhës komuniste, Shqipëria ka pasur kontakte me shumë grupime në Lindjen e Mesme dhe ka mbështetur këto grupime për një periudhë të gjatë. Në dijeninë tuaj e dini të këtë pasur kontakte midis Shërbimit Sekret Amerikan dhe atij Rus më Shërbimet Sekrete Shqiptare me interes të dyanshëm mbi këto grupime?

Peter Earnest: Unë mendoj se është një aluzion shumë interesant, por unë nuk di gjë mbi këto kontakte. Por mosdija ime nuk do të thotë se mund të mos ketë pasur kontakte midis dy shërbimeve.

Gjenerali Kalugin: Ne kemi pasur marrëdhënie shumë të ngushta me Shërbimin Sekret Shqiptar deri në 1956, kohë kur Hrushovi denoncoi Stalinin. Kjo u pa nga Shqipëria dhe bota komuniste si largimi nga qëllimi i komunizmit dhe Shqipëria i mbeti besnike doktrinës staliniste ashtu si edhe Kina. Prej këtij momenti të gjitha operacionet e Inteligjencës Sovjetike ishin drejtuar në përgjithësi në rrëzimin e regjimeve pro kineze, pasi ne nuk mund të bënim asgjë në Kinë. Pas rrëzimit të komunizmit interesimi ynë ndaj Europës Lindore u zbeh shumë me përjashtim të Polonisë, që ishte edhe armiku kryesor.

KGB Sovjetike duhet të ketë pasur rrjetin e saj në Shqipëri. Pas largimit të sovjetikëve nga Shqipëria, çfarë u bë me këta njerëz? A kishit më lidhje me ta?

Gjenerali Kalugin: Po sigurisht që ne kemi pasur njerëzit tanë në Shqipëri por se çfarë u bë me ta, ndershmërisht nuk e di. Në momentin që sovjetikët u larguan nga Lindja, ne kishim një numër burimesh informacioni në Poloni, çekosllovaki, Rumani, Bullgari dhe sigurisht që kishim edhe në Shqipëri. Por largimi ynë nuk e ndryshoi besnikërinë e këtyre njerëzve ndaj nesh. Ngjarjet në Bashkimin Sovjetik u trajtuan si një tradhti ndaj idealeve dhe nga ajo që di, shqiptarët janë njerëz konservatorë në përgjithësi, ashtu si edhe lidershipi i vendit.

Do të doja t’ju pyesja për një ngjarje që vazhdon të jetë e rrethuar me mister, mbi një person shumë të famshëm në Shqipëri. është fjala për Kryeministrin më jetëgjatë, Mehmet Shehu, për të cilin historia zyrtare thotë se vrau veten. Pasi vdiq, Mehmet Shehu u akuzua nga lidershipi komunist dhe Enver Hoxha si një agjent i CIA-s dhe i KGB-së. A e keni dëgjuar emrin e tij gjatë drejtimit të Kundërzbulimit Sovjetik? A është përmendur vallë që një njeri i këtij niveli bashkëpunonte me ju, apo ishte miqësor me shërbimet?

Gjenerali Kalugin: Jo, jo, nuk e kam dëgjuar asnjëherë. Ashtu si ka ndodhur në Bashkimin Sovjetik kur vdiq Stalini, lufta midis Berias dhe Malenkovit apo Hrushovit dhe Berias, i cili ishte një njeri ambicioz, por e pushkatuan në fund si tradhtar dhe e fajësuan për gjithçka, si agjent anglez, por ai nuk ishte gjë tjetër veçse një rival politik. Ka shumë mundësi që të jetë e njëjta situatë në Shqipëri.

Botuar me shkurtime

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›