E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurozona Britania kerkon shtim kompetencash nga BE

Ndërsa qarkullojnë zërat për nevojën e një traktati të ri europian që do ta bënte bllokun dhe eurozonën më të fortë në aspektin financiar, Britania le të kuptohet se cdo marrëveshje e re nuk mund të arrihet vetëm pas shtimit të kompetencave për disa vende anëtare. Kryeministri britanik David Cameron sinjalizoi se Britania do të kërkojë kthimin e disa kompetencave nga Brukseli në këmbim të marrëveshjes për ndonjë traktat të ri.

Vetëm një ditë më parë në një artikull të publikuar nga Financial Times ministri gjerman i financave Volfgang Shable shkruante se forcimi i strukturave të zonës euro, të tronditura nga kriza financiare, kërkojnë ndryshime të rëndësishme në traktatin e Lisbonës ndonëse nuk duhet të bëhej asnjëherë fjalë për një "hap të papritur" drejt bashkimit fiskal. Kryeministri konservator David Cameron nuk nguroi të kundërpërgjigjej menjëherë duke thënë se Britania dëshiron një eurozonë më efikase e besonte se logjika e unionit monetar të çon paevitueshmërisht drejt unionit fiskal ndonëse në Britani një hap i tillë nuk do të zbatohet për sa kohë mbetet jashtë zonës së euros. Para komisionit parlamentar Cameron pohoi se për momentin nuk bëhej fjalë për një tjetër traktat në të cilin do të pasqyrohej një bashkim më i thellë fiskal ose ndryshime në zonën e euros, por një hap të tillë nuk e përjashtoi për të ardhmen.

"Nëse do të ketë një ndryshim traktati atëherë ekziston mundësia për të theksuar cfarë duhet në interesin kombëtar të vendit" u shpreh Kameron i cili në platformën euroskeptike të konservatorëve para zgjedhjeve kishte përfshirë dhe një propozim për ndryshimin e rregullave të punësimit apo sic e quanin konservatorët “riatdhesim” të legjislacionit social e të punësimit në Londër. Por pas zgjedhjeve konservatorët u desh të formonin një koalicion me Liberal Demokratët pro-evropiane. Mëgjithatë një vit më pas Cameron serish shprehet i bindur në pozitat konservatore e deklaron se Britania do të përfitojë nga marrja pas e disa kompetencave nga Brukseli. "Ka disa zona ku BE-ja është e dëmshme për sa i përket, për shembull, operimit të një ekonomie tregu fleksibël,” deklaroi ai në mbeldhjen e komitetit parlamentar ku madje theksoi se dhe rregullorja financiare evropiane përbën rrezik për Britaninë.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›