Ambasadorët: Zgjidhni krizën, ndryshe do dilni nga binarët
Ndërkombëtarët i mbeten qëndrimit për arritjen e një dialogu mes palëve
TIRANË - Faktori ndërkombëtar përforcon thirrjet ndaj klasës politike shqiptare për të zgjidhur krizën politike që ka përfshirë vendin. Në një aktivitet të organizuar nga Rektorati i Universitetit të Tiranës për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, zëvendës-Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Elisabet Evans, deklaroi se forcat kryesore politike duhet të gjejnë gjuhën e dialogut për të zgjidhur ngërçin politik.
Në të kundërt, sipas saj, vazhdimi i kësaj situate mund të jetë me pasoja për demokracinë shqiptare. "Duhet dialog për të zgjidhur krizën politike. Kjo situatë mund ta nxjerrë nga binarët demokracinë në vendin tuaj", - tha dje ambasadorja Evans.
Ndërkaq, ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosh, i cili ka kërkuar gjatë javëve të fundit, që të marrë udhë sa më parë zgjidhja e krizës politike, edhe dje në një tryezë për pjesëmarrjen e grave në politikë, theksoi se politika shqiptare duhet të reduktojë replikat. Bosh vuri në dukje përfaqësimin e ulët të grave në politikë dhe kryesisht në vendimmarrje.
Megjithëse ka disa përpjekje për të rritur përfaqësimin e gjinisë femërore në strukturat vendimmarrëse, sipas Bosh, Shqipëria është ende larg nga ajo që duhej të ishte. "Situata e përfaqësimit të grave në strukturat vendimmarrëse është ende shumë larg prej asaj që duhet të jetë.
Ka disa përpjekje, por jeni ende shumë larg. Duhet të kuptoni se kur luftoni për të drejtat tuaja nuk jeni as demokrate dhe as socialiste, as të majta e as të djathta, por jeni të një qëllimi të përbashkët", - u shpreh dje Bosh.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ambasadori i Holandës në Shqipëri, Van de Dol, i cili evidentoi faktin se vendi ynë ka numrin më të ulët në Evropë të përfaqësimit të femrave në pushtetin legjislativ.
Sipas tij, janë vënë re disa nisma, por akoma nuk ka hapa konkretë në realizimin e tyre ."Mbetet shumë për tu bërë, sepse Shqipëria ka përqindjen më të ulët në Evropë për numrin e femrave të zgjedhura në Kuvend. Ka nisma për këtë por kjo duhet të kthehet në veprim konkret sa më shpejt.
Thelbësore është të hiqet dorë nga apatia se femrat nuk mund të bëjnë dot asgjë në politikë. Duhet edhe vullnet nga partitë politike në ristrukturimin e tyre në favor të përfaqësimit të gjinisë femërore", - nënvizoi ambasadori holandez.
Megjithëse, partitë politike shqiptare para fushatës elektorale, patën premtuar se do të arrihej 30%-i i përfaqësimit të femrave në Kuvendin e Shqipërisë, kjo përqindje realisht nuk u arrit në zgjedhjet e 28 Qershorit të këtij viti.
Por, ajo që mbetet edhe më shqetësuese për ndërkombëtarët është situata aktuale politike, që sipas tyre duhet të marrë rrugën e zgjidhjes, pasi në të kundërt, sipas tyre, të gjitha pasojat do të bien mbi demokracinë e vendit dhe për më tepër vihet në dyshim integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.