Mazhoranca, e shqetësuar për deklarimet e pasurisë
Mazhoranca ka kërkuar masa parandaluese që mediat të mos përdorin deklarimet e pasurive të zyrtarëve të lartë. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të çështjeve Ligjore, ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, i cili i ka kërkuar kreut të Autoritetit të Mbrojtjes të të Dhënave Personale, Flora çabej, një rishikim të procedurave aktuale. Në fjalën e tij, deputeti Hoxha theksoi se “ajo që desha të vë theksin unë, është se ne drejtuesit e administratës bëjmë deklarimin e pasurive, ashtu si ne dhe ju. Me miliona dikush, me miliarda dikush, dikush hiç fare.. Nuk e di a keni ndonjë plan konkret që ky deklarim i yni i pasurive të mos tundet në media apo të mos dalë nëpër duar dhe të mos përdoret politikisht. Dhe kjo them që është një nga detyrat imediate, që unë shikoj në punën tuaj”. Në përgjigjen e saj, kreu i Autoritetit, çabej, theksoi se “duhet të kini parasysh një gjë, personat publikë e kanë privatësinë e limituar. Duhet të dini se Suedia nxjerr online të dhënat pasurore për të gjithë qytetarët e saj mbi 18 vjeç dhe kjo është me një dekret të mbretit që në vitin 1903”. Ndërkohë deputeti demokrat ka replikuar me fjalët: “Jemi republikë parlamentare”. Në fjalën e saj, çabej theksoi se kemi pasur ankesa edhe për “Facebook-un”. ”Kemi pasur ankesa në këtë fushë, fakti është që duke qenë se operatori ‘Facebook’ nuk është në kontinentin tonë europian, është në Amerikë, është shumë e vështirë për ne, jo vetëm për ne, por edhe për vende të zhvilluara siç është Suedia. Kemi pasur një ankesë disi të veçantë, të një profesori me titull, një zotëri i moshuar, të cilit firma ku ai punonte i kishte vënë në Websitin e vet CV-në e tij shumë të pasur me tituj shkencorë, por kishte vënë foton e një të riu. Ai bëri ankesë të ne me çuarjen e inspektorit tonë, të dhënat u fshinë. Në këtë kuadër detyra u realizua dhe nuk kishim nevojë të vinim gjobë”.
#