E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajon, vizat: Nëse dështoni, përgjegjësi e politikës

Delegacioni i PE-së nis kontrollin në Shqipëri. Takime me Ramën, Bashën dhe Nishanin

Delegacioni i Parlamentit Europian për çështjen e liberalizimit të vizave nisi dje vizitën zyrtare në Tiranë. Misioni i drejtuar nga Eduard Kukan zhvilloi takime me kreun e opozitës, ministrin e Brendshëm dhe atë të Drejtësisë. Gjatë takimit me Ramën, ky i fundit kërkoi mbështetje për liberalizimin, teksa shprehu shqetësim për mosarritjen e konsensusit për zgjidhjen e krizës politike. Kukan shprehu keqardhjen për mosarritjen e kompromisit në Parlament dhe për vazhdimësinë e krizës në Shqipëri. “Pas hyrjes së opozitës në Parlament, theksoi zoti Kukan, shpresa për gjetjen e një zgjidhjeje u shtua, ndërsa sot me keqardhje vëmë re se zgjidhja e shumëpritur ende nuk është gjetur”. Në rast se procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët dështon, atëherë faji për këtë do të bjerë mbi klasën politike shqiptare. Ky ishte mesazhi që dha dje në një intervistë për “Top Channel”, raportuesja e Parlamentit Europian për çështjen e liberalizimit të vizave, Tanja Fajon, pjesë e delegacion të PE-së, i kryesuar nga Eduard Kukan, shefi i Delegacionit për Ballkanin, i cili mbërriti dje në vendin tonë. Fajon thekson se politikanët shqiptarë duhet të tregojnë përgjegjshmëri dhe seriozitet në këtë proces shumë të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë. Por nga ana tjetër, ajo nuk e fshehu se situata aktuale politike ndikon negativisht për këtë proces. “Gjithë kjo situatë nuk është e mirë për imazhin e vendit, të gjitha palët duhet të sigurohen se është në përfitim të tyre liberalizimi, edhe nëse dështon procesi, përsëri e mira e vendit është që palët të kenë dialog”, bëri të qartë raporterja e PE-së për çështjen e liberalizimit të vizave. Po kështu, ajo theksoi se më mirë se protestat ishte dialogu edhe për këtë arsye, palët politike duhet të uleshin bashkë dhe të bisedonin, për të mos lejuar destabilizimin e vendit. Nga ana tjetër, Tanja Fajon i këshilloi politikanët në vend që të mos akuzonin njëri-tjetrin për këtë proces, por të kuptonin se nga serioziteti dhe përkushtimi i tyre varej lëvizja e lirë e shqiptarëve. Raporterja e PE-së theksoi gjithashtu se azilantët politikë të ardhur drejt Europës nga vendet tona fqinjë, kishin shqetësuar qeveritë europiane dhe në mënyrë të veçantë atë të Belgjikës. Nisur nga kjo, Fajon e ftoi qeverinë shqiptare që të niste një fushatë sensibilizimi në lidhje me kushtet e liberalizimit të vizave. Sipas saj, vizita që delegacioni kishte bërë në qendrën e prodhimit të pasaportave, e kishte befasuar pozitivisht delegacionin në lidhje me cilësinë dhe sigurinë e lartë të përdorur në këtë proces. Përfaqësuesja e delegacionit theksoi se në muajin prill, raportuesit do t’i bënin kërkesë Parlamentit Europian për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe pastaj procesi do të vijonte rrugën e tij normale. Dita e sotme pritet të jetë e ngarkuar me takime për përfaqësuesit e delegacionit të kryesuar nga Eduard Kukan. Delegacioni do të takohet me Kryeministrin Berisha, Presidentin, Bamir Topi, ministrat Lulzim Basha, Bujar Nishani, Ilir Meta dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Vizita e delegacionit të PE-së ka si qëllim të shikojë nga afër se si janë plotësuar kushtet e BE-së për lëvizjen e lirë të shqiptarëve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›