E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakultetet, s’mbyllin dot në kohë vlerësimin e brendshëm

17/02/2009  Akreditimi/ Në fund të shkurtit pritet raporti i vlerësimit vetëm më pas nis vëzhgimi i jashtëm i cilësisë

Fakulteteve u duhet ende kohë për të bërë vlerësimin e tyre të brendshëm, para se t’i nënshtrohen kontrollit të cilësisë nga kompania e huaj e akreditimit, e cila tashmë është përzgjedhur. Ndonëse nga Universiteti i Tiranës ishte planifikuar që më 15 shkurt të kishte përfunduar faza e vlerësimit të brendshëm nga vetë universitetet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Për këtë është vendosur që raporti i vlerësimit të brendshëm të vijojë deri në fund të muajit shkurt. Vetëm më pas do të nisë vëzhgimi i të gjithë treguesve nga kompania e përzgjedhur. Nëpërmjet këtij procesi do të mundësohet listimi i universiteteve publike dhe private sipas rendit zbritës bazuar në cilësinë e ofruar. Specialistët e fushës pohojnë se procesi i akreditimit të universiteteve do të zgjasë rreth 1 vit e gjysmë dhe më pas do të jepet rezultati përfundimtar, i cili do të shoqërohet me penalizime të forta për ato institucione që do të rezultojnë problematike. Akreditimi i institucioneve të arsimit të lartë ndodhet në fazën e parë të vlerësimit, më pas do të nisë vlerësimi i jashtëm i cilësisë dhe akreditimi.

Vlerësimet

Aktualisht të gjitha universitet në vend, si ato publike, ashtu dhe private, kanë ngritur njësitë e tyre të vlerësimit të cilësisë së brendshme. Për nxjerrjen e raportit përkatës afati i fundit është fundi i muajit shkurt. Me pas të gjitha do t’i nënshtrohen vlerësimit të jashtëm nga kompania e huaj e përzgjedhur. Vlerësimi dhe akreditimi mund të jenë në nivel institucional dhe programesh studimi si dhe mbështeten në standardet shtetërore të cilësisë. Procedurat, kërkesat, kriteret dhe standardet për vlerësimin dhe akreditimin janë të njëjta si për institucionet publike të arsimit të lartë, ashtu dhe për ato private. Objekt i vlerësimit periodik do të jetë efikasiteti i veprimtarive mësimore, kërkimore apo artistike, si dhe veprimtarive administrative e financiare që ka realizuar institucioni përkatës i arsimit të lartë. Kompania e vlerësimit gëzon autonominë operative dhe eksesin e duhur në të gjitha të dhënat e institucionit. Për institucionet e arsimit të lartë që operojnë e ofrojnë diploma të përbashkëta me institucione të huaja të arsimit të lartë, si dhe për filiale të institucioneve të arsimit të lartë të huaja që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, vlerësimi dhe akreditimi bëhet duke marrë parasysh vlerësimin dhe akreditimin e tyre në vendin e origjinës.

Renditja

Do të jetë e njëjta njësi matëse që do të bëjë vlerësimin e të gjitha këtyre institucioneve. Ato që do të plotësojnë të gjitha kriteret e përcaktuara në ligj dhe që do të vlerësohen me pikët maksimale do të marrin akreditimin. Kjo do të sjellë renditjen e universiteteve nga më i miri te më i dobëti, duke orientuar kështu studentët pranë institucionit më të përshtatshëm të studimeve të larta. Kjo procedurë do të ndikojë direkt në diferencimin korrekt që duhet të gëzojnë tarifat e studimit. Megjithatë, për universitet që pas vlerësimit të jashtëm do të shfaqin rezultate të dobëta, do të ketë penalizime, që do të vijojnë deri në heqje licence. Janë rreth 24 institucione private të arsimit të lartë në vend që kanë marrë licencën e aktivitetit nga Ministria e Arsimit ,por vetëm tre prej tyre tashmë janë të akredituara. Megjithatë procesi i akreditimit do të zhvillohet në mënyrë periodike për të kontrolluar vazhdimisht cilësinë e studimeve që ofrohet pranë universiteteve. Vetëvlerësimi i universiteteve

Institucionet e arsimit të lartë janë përgjegjëse për sigurimin e brendshëm të cilësisë dhe përpara se të nisë procesi i akreditimit kanë ngritur njësinë përkatëse të sigurimit të brendshëm të cilësisë, që po merret me këtë procedurë aktualisht. Në përbërje të kësaj njësie është edhe një përfaqësues nga organizimet studentore të institucionit, si dhe një përfaqësues ekspert i jashtëm. Njësia po vlerëson periodikisht efikasitetin e veprimtarive mësimore, kërkimore apo artistike, si dhe të veprimtarive administrative e financiare të institucionit. Njësia e sigurimit të brendshëm të cilësisë ka autonomi operative dhe akses në të gjitha të dhënat e institucionit. Ndërkohë që kriteret dhe procedurat për ngritjen dhe funksionimin e këtij sistemi hartohen nga institucionet e arsimit të lartë, në bashkëpunim me Agjencinë e Akreditimit, që përcaktohen në statutet e institucioneve. Në fund të muajit shkurt pritet që të bëhet dhe publikimi i rezultateve të vlerësimit që është kryer. Më pas do të jetë agjencia e huaj që do të nisë procesin e vlerësimit të jashtëm.

Vendimet për akreditimin

Pas monitorimit të treguesve përkatës, vendimi për akreditimin mund të jetë pozitiv, negativ ose me kusht. Vendimi negativ bën që një institucion ose program të mos njihet zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë. Ndërkohë nëpërmjet kësaj procedure do të bëhet dhe një klasifikim i institucioneve universitare sipas cilësisë që ofrojnë. Mund të ketë penalizime me mbyllje apo heqje licence për ato që do të rezultojnë me shkelje të kushteve ekzistuese. Çdo institucion i arsimit të lartë apo program studimi në arsimin e lartë publik dhe privat përpara lëshimit të diplomave të para i nënshtrohet procesit të akreditimit të parë. Akreditimi i parë i jep të drejtën një institucioni publik ose privat të arsimit të lartë të lëshojë diploma të njohura në vend. Po ashtu çdo program apo institucion i akredituar i nënshtrohet vlerësimit dhe akreditimit periodik. Vlerësimi dhe akreditimi periodik kryhet çdo 6 vjet. Kjo procedurë do të jetë e detyrueshme të kryhet në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend, publike apo private.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›