E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, kriteret e reja për lejet e qëndrimit

18/02/2009  Ambasada tregon procedurën që duhet të ndiqet prej emigrantëve për rinovimin dhe marrjen e lejes së parë

Detajohen rregullat dhe procedurat e reja që duhet të plotësojnë emigrantët shqiptarë që janë në pritje të rinovimit të lejes së qëndrimit, ose ato kategori që për herë të parë gjatë këtij viti do të pajisen me këtë leje. Kundrejt kësaj kategorie tashmë janë zyrtarizuar nga qeveria italiane hapat konkretë për procedurat e reja që do të ndiqen mbi përdorimin e kuponit të rinovimit apo lëshimit të parë të lejes së qëndrimit. Emigrantët aplikues për këtë leje duhet të tregojnë kujdes në respektimin e procedurave të përcaktuara, veçanërisht në rastet kur kalojnë pikën kufitare për t’u kthyer në vendet e origjinës. Njëkohësisht ata duhet të evidentojnë të dokumentuara edhe një sërë të dhënash, kur bëhet fjalë për qytetarë të huaj në zotërim të kuponit postar të rinovimit të lejes së qëndrimit ose të lëshimit të parë për punësim, vetëpunësim apo për bashkim familjar, që duan të kthehen pranë shtetit italian.

Procedura

Gjatë ditës së djeshme ambasada italiane në vendin tonë ka publikuar detajet e procedurës që duhet të plotësojnë emigrantët për t’u pajisur me këtë kartë. Sipas tyre, “më 31 janarin e kaluar mbaroi afati i lehtësimit me karakter të jashtëzakonshëm parashikuar nga qarkorja 400/C/2008/2952 në favor të qytetarëve të huaj në zotërim të kuponit postar të rinovimit të lejes së qëndrimit ose të lëshimit të parë për punësim, vetëpunësim apo për bashkim familjar për t’u kthyer në Itali duke tranzituar përmes territoreve të shteteve anëtare”. Lidhur me këtë ndryshim të bërë Ministria e Brendshme italiane ka konfirmuar se do të ngelen në fuqi dispozitat e shpërndara më parë, që u lejojnë të huajve në zotërim të kuponit postar të rinovimit të lejes së qëndrimit ose të lëshimit për herë të parë të saj për punësim, vetëpunësim apo për bashkim familjar të kthehen në vendet e origjinës apo të banimit të përhershëm, duke plotësuar një sërë kushtesh të përcaktuara. Në rast të kundërshtimit të këtyre kritereve apo shkeljes së tyre aplikantëve do t’u refuzohet e drejta e marrjes së lejes së qëndrimit.

Kriteret

Konkretisht kjo kategori duhet të bëjë daljen dhe rihyrjen pranë këtij shteti nëpërmjet së njëjtës pikë kufitare, në mënyrë që të mos rrezikojë marrjen e dokumentit ligjor të lejes. Gjithashtu udhëtimi nuk duhet të parashikojë tranzit në vende të tjera “Shengen”, përveç atyre të origjinës, siç përcaktohet në dispozitat përkatëse. Nga ana tjetër, është e domosdoshme që i huaji të paraqesë pasaportën së bashku me vizën e hyrjes, në mënyrë që të kuptohen arsyet e qëndrimit (punësim, vetëpunësim apo bashkim familjar), ose me lejen e qëndrimit për të cilën ka kërkuar rinovim (kopje ose origjinalin), si dhe faturën e postës italiane. Në çastin kur ata kalojnë pikën kufitare, personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë dokumentin e udhëtimit (pasaportën) dhe kuponin, që do të paraqiten nga aplikuesi që i zotëron këto dokumente në çastin e daljes dhe rihyrjes në Itali.

Rinovimi

Procedurat e reja të publikuara për lëshimin e lejeve të qëndrimit janë të njëjta si për emigrantët që tashmë kanë futur letrat e tyre për rinovim, ashtu dhe për ata që aplikojnë për herë të parë gjatë këtij viti për marrjen e këtij dokumenti. Të dyja kategoritë duhet të tregojnë kujdes gjatë kalimit të pikave kufitare dhe hyrja dhe dalja duhet të bëhet gjithmonë në të njëjtën pikë. Kjo e fundit duhet të shoqërohet me vendosjen e vulës nga personeli kufitar.

Nënshtetësia

Marrja e nënshtetësisë italiane ka tashmë një afat të përcaktuar pas dorëzimit të kërkesës fillestare. Kështu, nëse një shtetas shqiptar ka aplikuar për marrjen e nënshtetësisë, por nuk ka marrë përgjigje për një periudhë pothuajse dyvjeçare që nga aplikimi, situata është jonormale. Specialistët pohojnë se afati maksimal i pritjes është 730 ditë, për tejkalime të këtij harku kohor duhet kontaktuar Qendra e Thirrjeve të Ministrinë e Brendshme.

Ribashkimi

Pak kohë më parë u publikuan procedurat e reja për bashkimin familjar. Sipas ligjit, duhet të realizohet një e ardhur vjetore nga burime të ligjshme jo më e vogël se shuma e çekut social, që shumëzohet me gjysmën për çdo familjar kandidat për ribashkim familjar. Shuma vjetore e çekut social për vitin 2009 është me 5.317,65€. Sportelet Unike mbi Imigrimin janë organet kompetente për shqyrtimin e përllogaritjen e të ardhurave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›