Faljet, PS nuk premton votën pro miratimit: Do të vendosim në fund
Qëndrimi “pro” i Partisë Socialiste, për sa i përket ligjit “Për faljen”, nuk mund të inkuadrohet në atë që është quajtur si konsensus i pakushtëzuar i saj për nismat e iniciuara nga shumica. Teksa prej ditësh po bën të njohur një qëndrim kushtëzues për sa i përket miratimit të ligjeve organike, selia rozë së fundmi i ka hapur dritën jeshile kalimit të një drafti që është interpretuar edhe si interferues me të drejtat e Presidentit. Gjithsesi, ky pozicion i saj është formal dhe vetëm në kuadër të angazhimit politik për kompletimin e legjislacionit me një ligj të tillë; për më tepër që konsensusi është dhënë në parim dhe mund të ndryshojë nëse shumica aktuale nuk do të marrë parasysh amendamentet e propozuara nga opozita. “Ligji në fjalë është një ligj i thjeshtë dhe mund të miratohet edhe me 71 vota. Pra shumica në këtë rast nuk ka nevojë për votën tonë. Ne jemi për një ligj për faljen, ndaj dhe kemi dhënë në parim mbështetje. Natyrisht, ligji nuk cenon kompetencat e Presidentit, që janë të sanksionuara në Kushtetutë. Ministri i Drejtësisë vetëm sa përgatit dosjen administrative dhe nuk aplikon faljen, pasi një gjë e tillë përcaktohet nga ligji themeltar i shtetit, se kush e ka të drejtën për këtë gjë”, u shprehën dje burime nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Edhe pse drafti është ende në gjykim e sipër, është e qartë se një ndërhyrje ligjore në këtë rast ka krijuar debate për sa i përket interferimit të administratës qeverisëse në të drejtat ekskluzive të kreut të shtetit. Shkak për këto interpretime është bërë përmbajtja e draftit që parashikon edhe kundërfirmën e ministrit të Drejtësisë në dekretin e faljes, i cili shfaqet zyrtarisht si propozues i vetëm në këtë rast. Nëse deri më tani lista e njerëzve që do të kërkonin falje dënimi ka ardhur edhe nga shoqata të ndryshme, apo institucione si Drejtoria e Burgjeve, aktualisht ligji i ri ia jep këtë të drejtë vetëm ministrit të Drejtësisë. Në këtë pikë, shqetësimi që është ngritur lidhet me një moment juridik që e formalizon kompetencën e kreut të shtetit në këtë drejtim, për sa kohë që këtij të fundit i vihet në tryezë një listë e hartuar nga qeveria. Për këtë arsye, qëndrimi i PS-së ka diktuar një nevojë për sqarim, pasi edhe pse parimisht i drejtë, politikisht ai përfaqëson një hap ndryshe. Duke u nisur nga daljet e fundit mediatike të përfaqësuesve socialistë, është bërë e qartë se ligjet organike nuk do të kalojnë nëse kriza e zgjedhjeve nuk merr rrugë, teksa në lidhje me një propozim që prek marrëdhëniet mes Presidentit dhe qeverisë, selia rozë ka dhënë mbështetjen parimore. Një mbështetje që gjithsesi lidhet edhe me faktin se kuadri aktual për faljen vijon të jetë ai i vitit 1981, me disa ndryshime në vitet ‘90, çka e bën të logjikshëm hartimin e normave të reja.
#