E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur i nxorëm nga rrënojat, viktimës i ishte këputur krahu

Punonjësi i lavazhit

Në momentin e shpërthimit, na shtyu ajri dhe na shtriu përdhe. U frikësova bashkë me shokët, por nuk e kuptova se çfarë po ndodhte. Më pas, dëgjova Fatbardhën që po bërtiste dhe me vrap, bashkë me disa fqinjë të tjerë, hymë në banesë për t’i ndihmuar. Kështu tregon Jani, i cili ka një lavazh për larje makinash pranë shtëpisë ku ndodhi shpërthimi. Ai rrëfen se kur ka hyrë brenda ka parë një nga burrat e vdekur të gjymtuar, ndërkohë që edhe tjetri kishte dëme të shumta. “Altini, i biri i viktimës, kishte rënë në katin e parë. Ishte shumë e vështirë ta nxirrnim nga rrënojat dhe më pas, të gjakosur, e nisëm për në spital. Ndërsa vajza, Shpresa, kishte shpëtuar mirë. Ajo nuk kishte asnjë dëmtim, pasi e kishte mbrojtur dollapi. Në momentin e shpërthimit ajo ishte në katin e dytë të shtëpisë, bashkë me kushërirën e saj 15-vjeçare. Ajo kishte marrë vetëm një plagë të lehtë në këmbë”, tregon Jani, i cili ende nuk e ka marrë veten nga gjithë ajo skenë që ka parë. Sipas tij, e bllokuar kishte mbetur Fatbardha dhe madje kur kishin hyrë për ta ndihmuar, kishte rënë edhe një sasi tullash, por kishin shpëtuar pa u dëmtuar. “Pasi i nxorëm nga banesa, vura re se çfarë dëmi kishte bërë shpërthimi te makinat, pasi deri në ato momente nuk po kuptonim asgjë dhe nuk i kishim parë”, rrëfen ai, duke shtuar se ishte një shpërthim shumë i fuqishëm dhe i zhurmshëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›