E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja ishte në hasmëri për një vrasje në vitin 1997

Dyshimet Xhevdet Xhebrahimi vrau Naim Dervishin, pasi i kishte ngacmuar vajzën

Sa më shumë kalonin orët, aq më shumë janë rritur dyshimet e policisë për një atentat me eksploziv ndaj familjes Xhebrahimi. Këto dyshime lidhen me një hakmarrje të vjetër, ku kryefamiljari ka vrarë Naim Dervishin. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në vitin 1997, por policia nuk i ka publikuar emrat e të dyshuarve. Sipas të dhënave hetimore, në vitin 1997, Xhevdet Xhebrahimi ka vrarë Dervishin për motive të dobëta. Në atë kohë, viktima i kishte ngacmuar vajzën, që ishte ende e mitur. Në këto kushte, Xhevdeti ka marrë armën dhe ka qëlluar ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend. Për viktimën së asaj kohe, policia nuk ka dhënë detaje, pasi çështja është në hetim. Por mësohet se uniformat blu kanë shoqëruar disa të dyshuar për këtë, që janë marrë në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore. Policia ka ngritur dyshime se mund të jetë vendosur lëndë plasëse në mënyrë enigmatike në banesën e Xhebrahimit. Sipas të dhënave policore, dy ditë më parë është parë një person rreth banesës së Xhebrahimit, kur aty nuk ndodhej njeri, pasi ishin të gjithë në dasmë. Megjithatë, asnjë nuk e ka identifikuar këtë person. Por, për policinë mbetet enigmatike vatra e shpërthimit. Ekspertët kanë mbledhur prova edhe rreth rrezes së shpërthimit, por ende nuk ka ndonjë provë që të vërtetojë plotësisht eksplozivin. Ata mendojnë se eksplozivi mund të jetë vendosur mes katit të parë dhe të dytë, ku ka një vrimë të hapur të madhe, ose në televizor, që atyre u ishte bërë dhuratë nga persona që ende nuk është identifikuar. Megjithatë, të gjitha këto mbeten për t’u verifikuar nga policia, për të dalë në një variant përfundimtar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›