E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Marrëveshja me Greqinë, do të shprehem me dekret”

11/12/2009  Presidenti i Republikës pret homologun turk, Gyl. Komentohet situata politike

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka refuzuar të bëjë koment mbi marrëveshjen që qeveria shqiptare ka nënshkruar me Greqinë për kufijtë detarë, e cila po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Kreu i shtetit e ka justifikuar këtë shmangie me pozicionin e tij kushtetues dhe respektimin ndaj institucioneve e procedurave që ndiqen në të tilla raste. “Kam shprehur të gjithë angazhimin tim institucional për një transparencë lidhur me këtë proces. Së dyti, kam thënë se duhet të respektojmë në të njëjtën kohë institucionet e Shqipërisë. Së treti, duke respektuar pozicionin tim kushtetues, nuk jam shprehur gjatë procesit, sepse Presidenti shprehet dhe vullneti vjen nga Parlamenti. Natyrisht, Presidenti shprehet me dekret”, - tha kreu i shtetit në përgjigjen e tij në interes të gazetarëve pas konferencës së përbashkët me shtyp me Presidentin e Turqisë, Abdullah Gyl. Duke garantuar se do të shprehet në çastin e duhur për t’u shprehur, ai shprehu bindjen se është një proces që do të vazhdojë të trajtohet me transparencë e realizohet në mënyrën më korrekte të mundshme në mbrojtje të interesave legjitime të shtetit shqiptar. Referuar ngërçit politik mes dy partive të mëdha në vend, Topi sqaroi se ai nuk ka ndër mend të interferojë në zgjidhjen e tij. “Në respekt të pozicionit të Presidentit, i cili është një pozicion kushtetues, jepen apelet e nevojshme, të domosdoshme në kufirin apo në limitin e mosinterferencës në vullnetet politike të partive. Ajo që mund të bëjë Presidenti është të inkurajojë dialogun politik, që është një parim i qëndrueshëm e i konsoliduar në vendet demokratike. E inkurajoj këtë dialog në interes të Shqipërisë, të qëllimeve madhore të saj për të pasur një progres dhe sukses imediat në procesin e integrimit në BE”, - tha Presidenti për këtë çështje. Gjithashtu gjatë konferencës për shtyp dy homologët vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve. Kreu i shtetit shqiptar falënderoi mbështetjen e Turqisë, ndërsa Presidenti Gyl garantoi për vijueshmërinë e saj. “Ne mbështesim fuqishëm edhe hapat e rëndësishëm që ka hedhur Shqipëria në kuadër të integrimit në BE. Vendimi i 16 nëntorit është tepër i rëndësishëm për Shqipërinë. Ju urojmë për një anëtarësim sa më të shpejtë! Dihet se reformat dhe kriteret që do kërkojë Evropa për ju do të bëhen të njohura, por, në fund të fundit, realizimi i këtyre reformave dhe plotësimi i kritereve do të ndihmojë për fuqizimin e mëtejshëm të vetë Shqipërisë”, - theksoi Gyl. Dje zv.ministrja e Jashtme Edith Harxhi dhe për palën turke nënsekretari i përgjithshëm i Shtetit të Turqisë, Selim Jenel, firmosën protokollin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe asaj të Turqisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›