E Hënë, 2 Nëntor 2026

Festat, nën mijëra drita dhe zbukurime qyteti i Shkodrës

23/12/2008  Bashkia, investim dhe për koncert të madh festiv

SHKODER- Festat e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri po e gjejnë qytetin e Shkodrës të zbukuruar si rrallë ndonjëherë. Ka qenë bashkia e Shkodrës ajo që i ka vënë vetes synim që festat e këtij fundviti të ofrojnë një atmosferë plotësisht festive për qytetarët e saj. Sipas drejtuesve të kësaj Bashkie, për krijimin e kësaj atmosfere është ngritur një grup i posaçëm specialistësh, të cilët ka rreth një javë që punojnë pa ndërprerje, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për festa. Nga ana tjetër për të bërë një prezantim ndryshe të këtij qyteti, Bashkia e Shkodrës ka vënë në dispozicion shumën e konsiderueshme prej 1,2 milionë lekësh për zbukurimin e tij. Pikërisht këto fonde të bollshme kanë nxitur specialistët e Bashkisë që këtë vit të mos merren vetëm me zbukurimin e qendrës së qytetit, por të ndryshojnë pamjen me zbukurime dhe në rrugët e sheshet e tjera të Shkodrës. Gjithçka po realizohet në sajë të një projekti të hartuar më parë nga profesionistë të dekorit të Bashkisë, të cilat kanë përfunduar tashmë rreth 90% të punës së tyre në sheshet dhe akset kryesore të qytetit. Projekti zbukurues për festat e këtij fundviti ka përfunduar në dy sheshet kryesore të qytetit, ku janë vendosur bredhat e zbukuruar me nga 6625 drita për secilën nga dy pemët tradicionale, pa lënë mënjanë dhe elementet e tjera ornamentale zbukuruese. Për të kaluar sa më mirë gjatë këtyre festave, bashkia e Shkodrës, përveç zbukurimeve të rrugëve të qytetit ka investuar dhe për një koncert të madh festiv në qendër të qytetit në natën e ndërrimit të viteve, ndërkohë që fishekzjarrë të shumta do të shndrisin qiellin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›