E Diel, 1 Nëntor 2026

Festë e madhenë Madrid, por Kupabie nga autobusi

SPANJE- Mijëra tifozë kanë dalë për të pritur Realin e Madridit, në kthimin nga Valencia, ku fitoi finalen e Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës. Në zonën përreth shatërvanit Cibeles, në qendër të kryeqytetit spanjoll, të gjithë kanë qenë në delir për trofeun e parë nën drejtimin e Zhoze Murinjos. Por, gjatë festimeve mbrojtësit Serxhio Ramos i ka rënë Kupa nga autobusi, duke shkaktuar kaos te tifozët. Policia ka ndërhyrë menjëherë për të shpëtuar trofeun, që gjithsesi ka pësuar disa dëmtime. Festa më pas ka vazhduar rregullisht, pavarësisht incidentit. Ndërkohë, nga të parët që është larguar nga sheshi ka qenë Zhoze Murinjo, i cili është shoqëruar nën masa tepër të forta sigurie. Lojtarët ndërkohë kanë qenë tepër të lumtur me këtë trofe, që Reali nuk e fitonte prej vitit 1993. “Kampionati është tepër i vështirë dhe kjo Kupë na gëzon, por tani duam më shumë. Duam finalen e Champions League”, deklaroi portieri Iker Kasijas. Për Serxhio Ramos, skuadra duhet të synojë kualifikimin edhe në Ligën e Kampioneve, pasi Barcelona tregoi se nuk është e pathyeshme. Reali i Madridit arriti një triumf të rëndësishëm të mërkurën në mbrëmje, duke mundur 1-0 pas kohës shtesë rivalët e përjetshëm të Barcelonës dhe duke fituar pas 18 vitesh Kupën e Mbretit. Pas tre vjetësh, madrilenët më në fund kanë arritur të marrin revanshin ndaj rivalëve katalanas, ndërsa kjo periudhë e gjatë pritjeje ka bërë që mijëra njerëz t’i prisnin futbollistët si heronj në kthimin e tyre në Madrid. Tashmë saga e klasikeve do të vijojë me ndeshjet gjysmëfinale të Champions League, më 27 prill dhe 3 maj.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›