E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, fermerët denoncojnë mungesën e subvencionimit

Fermerët e komunës së Frakullës në rrethin e Fierit akuzojnë Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë dhe ushqimit për mosmbështetje me subvencionime. Jo vetëm fermerët, por edhe krerët e komunës pohojnë se asnjë nga fermerët e zonës nuk ka përfituar nga projektet subvencionuese që janë aplikuar prej autoriteteve bujqësore të rrethit.
Është kreu i këshillit të komunës Frakull, Dashamir Troka, ai që deklaron se gjatë dy viteve të fundit asnjë nga fermerët e zonës së Frakullës nuk ka përfituar subvencionim dhe se projektet, sipas tij, janë dhënë në mënyrë selective nga drejtuesit e bujqësisë.
Zona e Frakullës konsiderohet si një nga zonat më të begata në Myzeqe e më gjerë. Në këtë zonë janë të zhvilluara të gjitha llojet e kultivimeve agro-bujqësore. Është për të ardhur keq që asnjë nga fermerët e zonës gjatë dy viteve të fundit nuk ka përfituar subvencionim nga shteti. Edhe projekti 2KR për naftë për fermerët ka dy vjet që ka përjashtuar nga harta e zbatimit komunën e Frakullës. Kemi të zhvilluar pemëtarinë, agrumet, drithërat, serat, blegtorinë etj dhe asnjë nga këto fusha nuk ka përfituar,
është shprehur kreu i këshillit të komunës, Dashamir Troka. Sipas tij, mësohet se asnjë skemë subvencionimi nuk është trajtuar për fermerët e zonës, por krerët e Drejtorisë së bujqësisë dhe ushqimit kanë ndihmuar vetëm një shtresë të vogël fermerësh të komunave të tjera duke u bazuar tek imazhi politik i tyre. Edhe fermerëve po u kërkohet ngjyra politike. Subvencionimi ka ecur për ruajtjen e imazhit politik të autoriteteve të bujqësisë në rreth, të cilët kanë selektuar në mënyrë të hapur zonat ku kërkojnë vota për partinë që përfaqësojnë, ka akuzuar Dashamir Troka. Ai shpjegon se komuna e Frakullës nuk ka marrë pjesë në diskutimin e asnjë projekti subvencionues edhe pse drejtuesit e saj kanë kërkuar shpesh herë. Ana procedurale kërkon patjetër që të merret parasysh sugjerimi i komunës, por një fakt i tillë nuk ka ndodhur. As ne si drejtues komune dhe as fermerët nuk janë thirrur, shpjegon Troka.
Nga ana tjetër në drejtorinë e bujqësisë dhe ushqimit të deklarojnë se janë subvencionuar mbi 150 fermerë, nga më shumë se 400 aplikime të kryera. I është dhënë rëndësi me subvencionim fermerë që kanë sera si dhe ata që kultivojnë pemëtari dhe agrume. Drejtuesit e Bujqësisë në Fier hedhin poshtë pretendimet për selektime fermerësh dhe zonash duke u bazuar tek ngjyra politike, ndërkohë që edhe komuna të tjera në të tre rrethet e qarkut kanë të njëjtin shqetësim me komunën e Frakullës. Kujtojmë se komuna e Levanit, Topojës, Portzës, Strumit etj kanë raportuar braktisje nga autoritetet e bujqësisë në projektet e subvencionimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›