E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja në maternitet, familja Shaka kërkon drejtësi prej 2 vitesh

Prej më shumë se dy vjetësh, familja Shakaj në qytetin e Vlorës kërkon drejtësi në dyert e gjykatave dhe ende nuk e ka gjetur atë, ndonëse faktet janë kokëforte dhe kjo familje ka realizuar korrespondencë me të gjithë të mëdhenjtë e pushtetit në vend. Ata kërkojnë të vërtetën e vdekjes së vajzës së tyre në maternitetin e spitalit rajonal të Vlorës, më 5 mars të vitit 2007 së bashku me vajzën e saj të sapolindur. Ata kanë paditur 4 mjekë të këtij materniteti dhe sorollaten nëpër gjykatë qysh prej dy vjetësh. Kanë kërkuar ndërrimin e tre prokurorëve deri tani, sepse sipas tyre, hapur fare kanë dalë në mbrojtje të mjekëve dhe dy nga këta prokurorë tashmë janë vetë në ndjekje penale për këtë problem. Kanë kërkuar ndërrimin e dy trupave gjykues dhe tashmë shpresojnë në drejtësinë e vërtetë, ndërkohë që një shpresë për këtë është edhe përgjigja e kthyer së fundi nga kryeprokurorja Ina Rama. Gjithçka ka zënë fill më 5 mars të vitit 2007, kur vajza e kësaj familje, Darjana Shakaj ka shkuar në maternitetin e spitalit rajonal dhe pas lindjes së vajzës së saj ka ndërruar jetë së bashku me të porsalindurën. Sipas Luftar Shakajt, babait të viktimës, përveç dhimbjes së ndjerë në këtë rast për humbjen e bijës së tyre, studente në universitetin Ismail Qemali të qytetit bregdetar, ai ka filluar dhe betejën për gjetjen e drejtësisë dhe marrjen e dënimit nga mjekët që kanë asistuar në lindjen e vajzës së tyre dhe që sipas tij, vetëm kanë neglizhuar në çastet e paslindjes gjë që ka çuar dhe në vdekjen e bijës së tyre. Ai tregon në sallën e gjyqit një çantë të tërë korrespondencash që ka bërë me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe se prej tyre ka marrë inkurajim për drejtësinë që kërkon, por konkretisht nuk ka marrë ende përgjigje nga gjyqësori i Vlorës sepse sipas tij, të gjithë prokurorët që kanë ndjekur çështjen e tyre, kanë dalë hapur në mbrojtje të mjekëve të këtij materniteti. Ai tregon se ka kërkuar ndërrimin e tre prokurorëve deri tani dhe se dy prej tyre janë tashmë vetë në ndjekje penale për mosmbrojtje mirë të aktakuzës. Luftari tregon me kod penal në dorë se tashmë është i detyruar të bëhet vetë ekspert në çështje penale dhe me lot në sy po ashtu tregon se nuk do ta lërë pa çuar deri në fund kërkimin e drejtësisë dhe marrjen e masave ndaj mjekëve që neglizhuan gjatë dhe pas lindjes së bijës së tyre. Ai ka kërkuar edhe ndërrimin e dy trupave gjykues që po ashtu hapur dalin në mbrojtje të mjekëve. Ndonëse ka marrë një përgjigje inkurajuese nga kryeprokurorja Ina Rama, në përgjigje të letrave që i ka dërguar jo vetëm asaj por edhe presidentit dhe kryeministrit. Ai tregon se disponon të gjitha analizat e viktimës që tregojnë se ajo nuk vuante nga asnjë sëmundje që mund ta komplikonin vdekjen e saj dhe se kjo ka ardhur nga moskujdesi i treguar gjatë dhe pas vdekjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›