E Diel, 1 Nëntor 2026

Maskat rrahin dhe grabisin pronarët e argjendarisë

POGRADEC/ Haxhie dhe Bashkim Rakipllari u sulmuan në hyrjen e pallatit. U morën rreth 170 mijë lekë dhe 2 kg flori

Maskat terrorizojnë qytetin e Pogradecit. Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur dy pronarë të një dyqani floriri, ndërsa i kanë terrorizuar duke shtënë në ajër. Ka qenë ora 21:00 e të hënës, kur bashkëshortët Haxhie dhe Bashkim Rakipllari janë sulmuar nga dy persona të maskuar dhe me armë, të cilët pasi i kanë goditur dhe rrahur, u kanë marrë një çantë në të cilën kishin xhiron e ditës dhe një sasi të konsiderueshme bizhuterish. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.4 të qytetit të Pogradecit, në mes të blloqeve të pallateve, sapo dy pronarët e dyqanit të bizhuterive dhe fustaneve, i janë afruar hyrjes së pallatit ku banonin. Mësohet se mbrëmjen e së hënës, 49-vjeçarja Haxhie Rakipllari e ka mbyllur dyqanin e saj më vonë se herët e tjera pasi bashkë me Bashkimin, bashkëshortin e saj kishin sistemuar në një çantë të gjitha bizhuteritë e floririt dhe xhiron ditore. Kur kanë shkuar drejt pallatit dy bashkëshortët kanë vënë re se nuk kishte ndriçim në shkallë. Në këtë moment ata janë sulmuar nga dy persona që u kishin zënë pritë. Grabitësit kanë rrahur fillimisht Bashkimin dhe më pas kanë qëlluar me armë shtatë herë në ajër, ndërsa ju bënin presion dy viktimave të tyre për të dorëzuar çantën. Duke qenë se në çantë kishte një shumë të konsiderueshme parash dhe bizhuteri me vlerë të madhe gruaja u ka rezistuar kërcënimeve derisa dy personat e maskuar e kanë goditur në kokë me qytën e pistoletës. Policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes thotë se janë gjetur 7 gëzhoja pistolete, ndërkohë që nga marrja në pyetje e dy bashkëshortëve këta të fundit kanë deklaruar se në çantë kanë pasur 150 mijë lekë, 140 euro dhe bizhuteri të florinjta me një peshë prej afro 2 kilogramësh. E dëmtuara Haxhie Rakipllari ka deklaruar se ka thirrur për ndihmë, por askush nuk i është përgjigjur thirrjes së saj. “Më goditën në fytyrë dhe më vendosën tytën e pistoletës në kokë. Pastaj qëlluan me armë disa herë. Burri qëndronte i shtrirë në tokë pasi e kishin goditur dhe e detyruan të shtrihej me fytyrë nga toka. Thirra për ndihmë, por askush nuk na ndihmoi”, tha gruaja në polici, ndërsa sqaroi se grabitësit ishin veshur me të zeza dhe kishin kapuça në kokë. Policia ka nisur kërkimet në zonë, por nuk ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›