Luan Rama: Kërkesa për kutitë, antikushtetuese
Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron antikushtetuese kërkesën e selisë rozë për hapjen e kutive të votimit. Sekretari për marrëdhëniet publike në këtë parti, Luan Rama, nënvizoi dje faktin se e gjithë vijësjellja politike e kryetarit josocialist të Partisë Socialiste rezulton të jetë fund e krye një demagogji e shndërruar në një parodi tallëse e fyese, në radhë të parë për vetë socialistët, të cilët nuk i bashkon asgjë me interesat e ngushta që mbron dhe përfaqëson kryetari dhe enturazhi i tij josocialist që ka uzurpuar Partinë Socialiste. “Në mënyrë djallëzore dhe të qëllimtë kryetari josocialist i PS-së po e paraqet problemin si një çështje kutish. Jo, nuk është çështje kutish, është çështje Kushtetute, është çështje parimesh themelore mbi të cilat ngrihet dhe funksionon një shtet demokratik”, deklaroi Rama. Më tej, sipas tij, kreu socialist synon të shembë kushtetutshmërinë e vendit dhe të institucioneve që zbatojnë Kushtetutën, synon të institucionalizojë praktikën antidemokratike të mosnjohjes së autoritetit të pavarur të gjykatave, duke krijuar kështu një precedent të rrezikshëm që do të përhapej si një virus kundër demokracisë dhe institucioneve kushtetuese edhe në vendet e tjera të Ballkanit e deri në republikat e Kaukazit. “Kur ne socialistët e bëmë vendin me Kushtetutë përmes një kalvari sakrificash e përpjekjesh që dinë t’i përballojnë të gjithë ata që duan dhe mbrojnë interesat e vendit, nuk kishim nga ta dinim se në një natë okulte kryetari josocialist i Partisë Socialiste do ta ndryshonte Kushtetutën me të njëjtën papërgjegjshmëri që po trajton edhe vetë Partinë Socialiste, interesat e votuesve dhe mbështetësve të saj që janë po aq edhe interesat europiane të të gjithë qytetarëve shqiptarë që po shohin se si nën pretendimin absurd për hapjen e kutive në fakt po synon të pengojë hapjen e kufijve dhe lëvizjen pa viza të shqiptarëve në BE”, nënvizoi përfaqësuesi i LSI-së. Pas kësaj deklarate reagoi PS përmes Besnik Bares. Ai tha se “Ilirët e Saliut nuk e pengojnë dot hapjen e kutive ku fshihet edhe e vërteta e mandatit të Ilirit në Tiranë, madje edhe në Fier e në Berat. Hapja e kutive s’është kërkesë, po e drejtë dhe këtë të drejtë do e fitojë populli nëse do e mohojë Saliu”.
#