Filloi gjyqi ndaj 14 piratëve të vjedhjes së bankomatëve
MATRIX
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, filloi procesin gjyqësor ndaj 14 të pandehurve të akuzuar për "vjedhjen" e bankomatëve dhe blerjes së sendeve me vlerë me karta të kreditit të falsifikuara në 180 raste.
Kështu, togat e zeza të kësaj gjykate, pas kërkesës së 14 të pandehurve të arrestuar në operacionin e policisë të koduar me emrin "Matrix", që procesi gjyqësor ndaj tyre të zhvillohet në aplikim të gjykimit të shkurtuar, gjykata e pranoi këtë kërkesë, duke e veçuar nga dosja të pandehurin Kreshnik Luku, që nuk pranoi aplikimin e procedurave të përshpejtuara ndaj tij. Pas ndarjes së dosjes, togat e zeza ia dhanë fjalën prokurorit të çështjes, Armand Gurakuqi, i cili lexoi për rreth 25 minuta kërkesën për gjykim.
Sipas akuzës, më datë 25 janar 2008, Prokuroria e Tiranës mbi bazën e materialit kallëzues të ardhur nga policia ka regjistruar procedimin penal për kryerjen e veprave penale "vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit" dhe "falsifikim të letrave me vlerë".
Në vijim është kryer bashkimi i dhjetë procedimeve penale në një të vetëm. Nga materiali kallëzues rezulton se persona të ndryshëm kanë kryer tërheqje parash nga bankomatët e disa bankave me anë të përdorimit të kartave të debitit të falsifikuara. Gjithashtu, rezulton se me anë të përdorimit të këtyre kartave, janë blerë sende në subjekte të ndryshme tregtare. Në kuadër të hetimeve paraprake është vlerësuar se veprimet objekt procedimi, përbëjnë konsumimin e veprave penale "mashtrim" dhe "falsifikim të letrave me vlerë", të kryera në bashkëpunim më shumë se njëherë.
Nga aktet e administruara rezulton se në data dhe subjekte të ndryshme tregtare shtetasit Endrit Gjergjani (Laro), Rei Karapici, Enea Çela, Redi Çikani, Alban Bare, Ledio Doko, Anil Gjergjani (Laro) kanë blerë mallra si telefona celularë, kompjuterë lap-top, veshje dhe shumë sende të tjera, me anë të kartave të debitit të falsifikuara. I njëjti veprim është kryer edhe nga shtetasit Indrit Abazi dhe Blerim Abazi.
Po kështu për këto veprime kanë pasur dijeni të plotë shtetasit Klajdi Terolli, Fatmir Borshi, Famir Kolmarku e Flamur Gashi, të cilët nuk kanë bërë kallëzim në organet kompetente. Në këto kushte është vendosur marrja në cilësinë e të pandehurit të 14 personave.
Pas arrestimit të pandehurve i janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme katrash krediti të klonuara, pajisjen për karikimin e tyre, procesverbale të ndryshme nëpër banka që janë dëmtuar nga veprimet e të pandehurve.