Topi-qytetarëve: Aplikoni për kartat
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, bëri thirrje për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka zgjedhur ditën e djeshme për të sensibilizuar opinionin publik, se është e domosdoshme pajisja e qytetarëve me karta identiteti.
I shoqëruar nga bashkëshortja Teuta Topi, dhe dy vajzat e tij, Nada dhe Etida, Presidenti i Republikës aplikoi në Zyrën e Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake numër 9, për të kryer procedurat e nevojshme për marrjen e letërnjoftimit.
Pas përfundimit të procedurave, kreu i shtetit deklaroi për mediat se pajisja e qytetarëve me karta identiteti nuk duhet të lidhet domosdoshmërisht vetëm me eksesin për të votuar.
"Unë zgjodha këtë ditë për të aplikuar, jo sepse nuk e kam pasur mundësinë më parë, por se e shikoj që ky është një moment shumë i rëndësishëm për të bërë një sensibilizim të gjerë publik. Pajisja me kartën e identitetit ose me letërnjoftimin, është momenti më i rëndësishëm për një qytetar dhe besoj që nuk duhet të lidhet domosdoshmërisht vetëm me aksesin për të votuar.
Të jesh i identifikuar, të kesh kartën e identitetit, sigurisht një kartë me parametrat më të larta teknologjike, një kartë, e cila pranohet nga standardet e vendeve të Bashkimit Europian, do të thotë që të kesh mundësi të mëdha për të ushtruar të gjitha të drejtat në administratën publike, nëpër ambasada, nëpër universitete, kështu që njerëzit duhet patjetër të aplikojnë!
Të aplikojnë shpejt, sepse mesa shikoj, aksesi dhe teknologjia është e tillë që u jep mundësinë të gjithë qytetarëve të pajisen!", -tha Topi.
Presidenti i Republikës shtoi se, qytetarët duhet ta vlerësojnë këtë proces në radhë të parë në interesin e tyre, pastaj në mundësinë që ata kanë një herë në katër vjet, në zgjedhjet e përgjithshme politike për të shprehur vullnetin e tyre.
Presidenti i Republikës shtoi gjithashtu se, partitë politike nuk duhet ta shohin pajisjen me karta identiteti të qytetarëve vetëm në funksion të ditës së votimeve, pasi ky proces, sipas tij, u shërben institucioneve të Shqipërisë dhe imazhit të Shqipërisë kudo në botë.