E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI premtim ish-ushtarakëve

Tiranë -Krye i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me ish-ushtarakë, me të cilët diskutoi rreth problemeve që i shqetësojnë ata. “Unë besoj se, pas 28 Qershorit, kur Berisha pa diskutim që do të shkojë në opozitë dhe do të dalë në pension, pa diskutim që do të zbatohet vendim nr.9 i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2007. Pra, do të zbatohet ligji i miratuar në vitin 2005. Është një detyrim jo vetëm kushtetues, por është një detyrim politik, një detyrim social e njerëzor, dhe një detyrim atdhetar i secilit prej nesh që është angazhuar në politikë, për arsye të atdhetarizmit dhe sakrificave që përfaqësojnë ish-ushtarakët përgjatë gjithë jetës së tyre”-theksoi Meta.

Kreu i LSI-së, ka akuzuar qeverinë Berisha që la në një anë këtë shtresë. “Në vitin 2005, kur u miratua ligji, PD që ishte në opozitë nuk votoi kundër por, votoi pro. Kur erdhi në pushtet e shfuqizoi, duke treguar dhe një herë tjetër atë urrejtjen e saj për ushtarakët në përgjithësi”-tha Meta.

Sipas tij, me ardhjen e LSI-së në pushtet, do të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ish-ushtarakë, duke shtuar se LSI-ja do ta ketë këtë vendim pjesë të programit politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›