TIRANË- Një 35-vjeçar nga Korça është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme në kryeqytet me tre plumba pistolete.
Ngjarja ndodhi në orën 19.00 pranë një pike bastesh në rrugën "Babë Rexha", tek Parku i Autobusëve në Tiranë.
Viktima është Shpëtim Gjenollari, ndërsa policia nuk ka mundur ende që të identifikojë vrasësin. Forca të shumta policia mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e skenës së krimit ndërsa shoqëruan në komisariat dëshmitarët e ngjarjes për të zbardhur rrethanat.
Oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve në Policinë e Tiranës morën në pyetje dëshmitarët okularë të ngjarjes të cilët deklaruan se ka qenë një person që ka qëlluar me pistoletë mbi 35-vjeçarin dhe më pas është larguar me një biçikletë.
Vrasja
Shpëtim Gjenollari, 35-vjeç, nga Korça ka mbërritur ditën e djeshme në Tiranë për të kryer disa punë të tij ndërsa do të qëndronte te disa të afërt. Por në orët e pasdites ai ka hyrë në një lokal bastesh, pranë rrugës "Babë Rexha", ku dyshohet se ka nisur të konfrontohet me një klient të lokalit.
Sipas dëshmitarëve, korçari dhe klienti tjetër kanë nisur një sherr brenda në ambientet e lokalit dhe pas fjalëve fyese të ndërsjella ata kanë dalë jashtë lokalit. Vetëm pak metra larg ndërsa sherri është ndezur më tej, duke bërë që personi ende i paidentifikuar të nxjerrë një pistoletë.
Ai ka qëlluar tre herë mbi 35-vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend. Më pas autori dyshohet se është larguar me një biçikletë duke u shpëtuar prangave të policisë.
Forca të shumta policie mbërritën në vendngjarje për të sqaruar shkaqet e krimit ndërsa kanë marrë në pyetje dëshmitarët mes tyre dhe personat që ndodheshin në pikën e basteve.
Policia
Për më shumë se një orë policia ka bërë këqyrjen e trupit të 35-vjeçarit Shpëtim Gjenollari në vendngjarje, ndërsa kanë marrë në pyetje dëshmitarët. Ndërkohë, fill pas ngjarjes, janë ngritur disa postblloqe në rrugët kryesore të kryeqytetit me qëllim verifikimin e personave për të rënë në gjurmët e autorit të krimit.
Burime nga policia thanë se deri në orët e vona të mbrëmjes, janë marrë në pyetje shumë persona si dëshmitarë apo të dyshuar për vrasjen por më pas janë lënë të lirë. "Ende nuk është sqaruar plotësisht motivi i ngjarjes.
Viktima ishte nga Korça dhe kishte mbërritur në Tiranë sot (dje). Ndërsa kishte hyrë në një lokal ku dyshohet se ka nisur një debat me një person. Sherri ka përfunduar me përdorimin e pistoletës duke qëlluar për vdekje 35-vjeçarin" thanë për "Shekullin" burimet policore.
Të njëjtat burime shtuan se po punohet për të zbardhur me saktësi rrethanat e kësaj ngjarjeje si dhe identifikimin e kapjen e autorit.