E Diel, 1 Nëntor 2026

Fini, vizitë në Tiranë: Zgjidhini problemet konform Kushtetutës

Presidenti i Dhomës së Deputetëve italianë merr pjesë edhe në tryezën e gazetarit Bruno Vespa

“Nuk më mbetet tjetër veçse të uroj për një zgjidhje sa më të shpejtë të të gjitha çështjeve që janë ende të hapura dhe që kërkojnë zgjidhje”. Ky ishte mesazhi që dha dje Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Xhanfranko Fini, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Duke u ndalur te zgjidhja e problemeve, ai insistoi se kjo duhet të ndodhë “sikundër përmendi edhe Kryeministri Berisha, në respektim të Kushtetutës, të ligjit dhe të pavarësisë, por edhe të rekomandimeve apo të mendimeve të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Fini zhvilloi një takim me Kryeministrin Sali Berisha dhe më pas një konferencë për shtyp, në të cilën theksoi se tashmë Italia, po jepte kontributin e saj në integrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Po kështu, ai deklaroi se raporte të shkëlqyera mes dy vende janë hasur dhe po forcohen edhe në luftën kundër kriminalitetit dhe në mënyrë të veçantë, luftës ndaj kontrabandës, trafikut të qenieve njerëzore dhe të lëndëve narkotike. Në kuadër të lëvizjes së lirë, Fini, theksoi se mbështetja e Italisë nuk do të mungonte edhe për sa i përket liberalizimit të vizave. “Procesi i liberalizmit të vizave është një proces më se i rëndësishëm dhe që duhet të bazohet në meritën dhe ky përbën edhe synimin kryesor”, deklaroi Fini. Sakaq, gjatë takimi me Jozefina Topallin, Fini theksoi se liberalizimi i vizave për shqiptarët është e merituar dhe nuk vjen si dhuratë. Në këtë kuadër, Presidenti Fini tha se falë progresit, reformave dhe plotësimit të detyrimeve, liberalizimi i vizave për Shqipërinë pritet të bëhet brenda vjeshtës si një vendim i merituar. Kryeparlamentarja Topalli dhe Presidenti Fini ishin dje të ftuar specialë të gazetarit të njohur, italian Bruno Vespa në një tryezë të rrumbullakët. Biseda me temë emigracionin dhe integrimin mes dy vendeve u zhvillua në kuadrin e aktiviteteve “Dy popuj një det, një miqësi”, u organizua në mjediset e galerisë së arteve. Gjatë këtij aktiviteti, Topalli foli në lidhje me sfidat që shqiptarët kanë kaluar ndër vite të vështira për të qenë një vend europian dhe për të pasur demokraci të konsoliduar. Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë zhvilloi takim edhe me Presidentin Bamir Topi. Në takim, të dy folën për miqësinë tradicionale mes dy vendeve e cila është zhvilluar në shumë fusha me interes të përbashkët. Nga ana tjetër, Topi theksoi se Shqipëria e sheh Italinë fqinje si një partner të rëndësishëm strategjik dhe mbështetëse të fortë në rrugën e saj për realizimin me sukses të aspiratës për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Kryebashkiaku dhe njëkohësisht lideri i opozitës, Edi Rama, zhvilloi gjithashtu një takim me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Republikës së Italisë, z. Gianfranco Fini. Fillimisht, kryetari i bashkisë i dhuroi z. Fini çelësin e Qytetit, një vlerësim që kryetari i bashkisë rezervon për njerëz të shquar, vizitorë të nderuar të Tiranës. Kreu i Bashkisë, Edi Rama, njohu mikun italian me ndryshimet dhe hovin e kryeqytetit shqiptar, pavarësisht shumë sfidave që mbart zhvillimi i tij. Po ashtu, z.Rama, në cilësinë e liderit të opozitës e njohu Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Republikës së Italisë me zhvillimet politike në vend, si dhe qëndrimin e forcës politike që ai përfaqëson. Biseda u zhvillua në një frymë të ngrohtë mirëkuptimi dhe miqësore.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›