Firmos Prifti : Gazsjellësi TAP do të kalojë në Shqipëri
Prifti nënshkruan memorandumin, i cili prek Greqinë dhe Italinë
Projekti i gazsjellësit të ri që do të furnizojë Evropën me gaz, Trans Adriatic Pipeline AG do të kalojë edhe në territorin shqiptar, në ujërat e Adriatikut. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës nënshkroi dje një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me Trans Adriatic Pipeline AG për projektin e gazsjellësit në Shqipëri. Memorandumi u nënshkrua nga ministri z. Dritan Prifti për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe nga zotërinjtë Thomas J. Dimitroff dhe Lars Kronstadt për Trans Adriatic Pipeline AG. Në uebin zyrtar të Trans Adriatic Pipeline AG mësohet se gazsjellësi 520 kilometra do të nisë në Greqi, afër Thessalonikit, përmes ujërave shqiptare të Adriatikut dhe do të kalojë në Itali, afër Brindisit, që të lejojë gazin të rrjedhë nga gjiri Kaspian dhe Lindja e Mesme në tregun evropian. Ndërkohë, memorandumi i djeshëm përcakton hapat që duhet të ndiqen nga të dyja palët për zbatimin e projektit Trans Adriatic Pipeline AG, projekti i gazsjellësit për Shqipërinë, i cili i referohet marrëveshjes ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë, e lidhur në 10 mars 2009, për integrimin e sistemit të tyre të gazit natyral.Që në fillim të këtij memorandumi, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe TAP AG pranojnë se do të punojnë së bashku për të plotësuar të gjitha procedurat dhe kushtet e kërkuara shtesë, në mënyrë që projekti TAP të futet shumë shpejt në rrugën e zbatimit, duke pranuar dhe rëndësinë strategjike që ka për Shqipërinë furnizimi me gaz dhe nevoja e Shqipërisë për të qenë një vend i sigurt për Bashkimin Evropian. Duke pasur parasysh se investimi përfundimtar lidhur me projektin TAP parashikohet në vitin 2011, palët angazhohen nëpërmjet memorandumit se do të punojnë së bashku në të ardhmen, në mënyrë që ky afat i parashikuar të respektohet. Në pjesën e memorandumit që përcakton bashkëpunimin mes palëve, thuhet se METE dhe TAP do të bashkëpunojnë në kohën e duhur dhe në mënyrë që të fitohet mbështetja politike e secilit prej shteteve sovrane që marrin pjesë në projektin TAP dhe qeverive mikpritëse. Ky bashkëpunim, theksohet në memorandum, do të bëhet në mënyrë të përgjegjshme, në përputhje me sigurinë shëndetësore ndërkombëtare, sigurinë e punës, mjedisit dhe standardeve të tjera teknike. Në memorandum janë përcaktuar edhe detyrat e palëve. METE, së bashku me institucionet e Republikës Greke dhe Republikës Italiane, do të ndërmarrë hapa për të ngritur një komision trepalësh ndërqeveritar, i cili do të shërbejë si një forum i përbashkët i këtyre shteteve sovrane për të arritur në realizimin e projektit TAP. Në memorandum theksohet se në mënyrë që të mbështeten investimet dhe financimet e kërkuara për projektin TAP, palët njohin se është e domosdoshme një marrëveshje ndërqeveritare mes Republikës së Shqipërisë, Republikës Greke dhe Republikës së Italisë. Procesi i zhvillimit dhe i diskutimit të marrëveshjes ndërqeveritare do të mbështetet nga personeli i TAP AG. Palët pranojnë se duhet të ndërmarrin një sërë hapash për çuarjen përpara të projektit TAP. Një hap i tillë është dhe ai që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës duhet të përgatisë, me ndihmën e TAP, një ose më shumë projekt-memorandume mirëkuptimi në lidhje me projektin TAP, për hyrjen e gazsjellësit nga Republika e Shqipërisë dhe Republika Greke.