E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi me Karamanlis: Shqiptarët në Greqi, urë lidhëse mes dy vendeve

Kreu i shtetit Bamir Topi priti në Pallatin e Brigadave kryeministrin e Greqisë Kostas Karamanlis. Gjatë takimit presidenti Topi i përcolli kryeministrit grek disa prej momenteve më të rëndësishme në ecurinë e reformave integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në përgatitjen e klasës politike shqiptare dhe të qytetarëve shqiptarë për të realizuar me sukses zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Aktualisht jemi të angazhuar në mbylljen me sukses të procesit të prodhimit dhe pajisjes së shtetasve me letërnjoftime që është e një rëndësie parësore edhe për shkak të përdorimit të tyre si mjet identifikues gjatë këtyre zgjedhjeve, ka theksuar Topi, duke u shprehur i bindur në vullnetin maksimal të politikës dhe qytetarëve shqiptarë për të zhvilluar një proces zgjedhor të ndershëm, duke e konsideruar këtë një tjetër sfidë dhe një provë shumë të rëndësishme për ta integruar Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Nga ana e tij kryeministri Karamanlis theksoi qëndrimin e qeverisë së tij në mbështetje të plotë të orientimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe e siguroi Presidentin Topi se kjo mbështetje do të vazhdojë të jetë e qëndrueshme edhe më tej. E ardhmja e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë në gjirin e familjes evropiane dhe institucioneve të saj dhe kjo do të ishte një garanci absolute për qëndrueshmërinë dhe begatinë e rajonit tonë, nënvizoi kryeministri grek. Kreu i qeverisë greke uroi presidentin Topi për arritjen e madhe historike të Shqipërisë, anëtarësimin e saj me të drejta të plota në NATO, duke vënë në pah faktin se një tjetër vend fqinj u bë edhe aleat në Aleancën e madhe të Atlantikut të Veriut. Intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh në aspektin ekonomik u nënvizua si një nevojë dhe perspektivë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në këtë kontekst, presidenti Topi vuri në dukje klimën e përshtatshme dhe mundësi të gjera e konkrete që Shqipëria ofron për investitorët e huaj, duke nxitur kështu më tepër investime të bizneseve prestigjioze greke në vendin tonë në fusha të ndryshme si dhe rritjen e vëllimit të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Presidenti Topi vuri në dukje integrimin e suksesshëm të bashkatdhetarëve tanë në Greqi duke nënvizuar faktin se mbarëvajtja dhe mirëqenia e emigrantëve shqiptarë në shtetin helen shërben si urë e fortë lidhëse miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve dhe popujve tanë sot dhe në të ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›