Tirana, i pari qytet me Qendër Kontrolli për Trafikun
Kryeqyteti do të jetë gjatë gjithë kohës nën vëzhgimin e një syri i cili do të monitorojë dhe kontrollojë trafikun e qytetit. Tirana është i pari qytet në vend që gjatë këtij viti do të ketë një Qendër për Kontrollin e Trafikut. Kjo qendër do të bëjë të mundur kontrollin vizual mbi trafikun e çdo aksi. Projekti është i Bashkisë së Tiranës dhe do të ndërtohet paralelisht me projektin e Unazës së Madhe.
Projekti
Para pak ditësh, në kohën kur kreu i bashksië, Edi Rama, paraqiti segmentin jugor të Unazës së Madhe, bëri me dije: “Paralelisht me projektin e zhvillimit të Unazës së Re, ne kemi avancuar dhe do jemi i pari qytet në Shqipëri që do të kemi një Qendër Kontrolli për Trafikun, pra në këtë kuptim do të hyjmë në Evropë, sepse për herë të parë ne do të kemi mundësinë që të vendosim në jetë këtë projekt”.
Përmes kësaj qendre do të bëhet e mundur që të ketë një kontroll vizual mbi trafikun e kryeqytetit, që të kontrollohet çdo aks, të kontrollohet çdo shkelje që ndodh në mënyrën se si qarkullohet dhe pastaj kjo shkelje do t’u përcillet në mënyrë të kompjuterizuar organeve kompetente për ndëshkimin e tyre me qëllim parandalimin e krijimit të konfliktit në pika të ndryshme, përmes bashkëpunimit me strukturat shtetërore kompetente, duke pasur në monitorim të vazhdueshëm si me një sy nga lart, të gjithë Tiranës.
Burime pranë Bashkisë së Tiranës bëjnë të ditur se Qendra e Kontrollit të Trafikut do të ndërtohet në segmentin jugor të Unazës së Madhe, e cila fillon në kryqëzimin me “Rrugën e Kavajës” deri në kryqëzimin me “Rrugën e Elbasanit” me një gjatësi prej 5.5 km.
Trafiku
Bashkia e vlerëson se zbatimi i këtij projekti të rëndësishëm do të ketë një impakt shumë pozitiv të pritshëm në përmirësimin e lëvizjes dhe të trafikut, jo vetëm për këtë zonë, por edhe në të gjithë qytetin. Kjo qendër pritet të sjellë një menaxhim të mirë të lëvizjes së automjeteve në kryeqytet, gjithashtu edhe shmangien e krijimit të trafikut.
Gjatë ditës në Tiranë lëvizin 100 mijë automjete, numri i të cilave pritet të shtohet në vitet në vijim. Sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, rezulton se edhe në skenarin e sistemit multimedal, ku prioritet për lëvizjen e qytetarëve i jepet transportit publik krahasuar me vitin 2008, në vitin 2011 pritet që trafiku të rritet me 40% si dhe në vitin 2021, trafiku të rritet me 80%. Por rritja e madhe e trafikut nga bashkia është analizuar në disa alternativa të përballimit të rritjes si dhe në modelime dhe simulime të zgjidhjes më të mirë të lëvizjes. Përmes korsive të dedikuara për linjat e transportit publik lokal, korsi për lëvizje për biçikleta dhe të këmbësorëve, për mjete motorike dhe parkim (privat, me pagesë dhe rezidencial) për mjetet përgjatë Unazës.