Qeveria hap Universitet të Mjekësisë vitin e ardhshëm
Një universitet që do të përgatisë vetëm bluzat e bardha do të hapë dyert vitin e ardhshëm akademik. Vendimi për çeljen e Universitetit të Mjekësisë u bë dje publik në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku kreu i qeverisë, Berisha, e cilësoi hapjen e këtij universiteti si pjesë e reformës për zhvillimin dhe modernizimin e sistemit shëndetësor në vend. Ky hap i ndërmarrë nga qeveria synon të harmonizojnë si udhëheqjen diagnostike, kurative, shkencore ashtu edhe menaxhimin e institucioneve qendrore spitalore.
Vendimi
Duke vlerësuar se për ngritjen e Universitetit të Mjekësisë ekziston tashmë një bazë solide, me Fakultet të Mjekësisë, me një numër të konsiderueshëm studentësh dhe një ekip pedagogësh me përvojë, Kryeministri Berisha kërkoi njëherësh edhe shqyrtimin e modeleve të suksesshme në vende të tjera. Ndërkohë që solli si modele që kanë të njëjtin organizim Austrinë dhe Gjermaninë.
“Ekziston një bazë e fuqishme, një ekip me shkallë të lartë profesionalizmi dhe eksperiencë të madhe. Sot, në fakultetet dhe degët e mjekësisë janë rreth 5500 studentë. Pra, ka një korpus të gjerë studentësh dhe pedagogësh. Në vetë natyrën e punës në këtë fakultet edhe numri i pedagogëve është i konsiderueshëm dhe duhet të jetë. Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë duhet të nisë punën për të shqyrtuar të gjitha modalitetet”, - u shpreh Kryeministri.
Universiteti, fillimisht, do të ketë mbështetjen financiare të qeverisë për të kaluar më pas tërësisht në fazën publike. Kështu, faza e parë do të ketë një mbështetje të gjerë, për të kaluar më pas tërësisht në fazën publike, ku autonomia dhe pavarësia e tij financiare do të jetë shumë më e madhe.
“Fillimisht, universiteti ka nevojë për një ndihmë e mbështetje të fuqishme buxhetore, si edhe çdo gjë e re. Kjo mbështetje është jetike si për mësimdhënien, ashtu edhe për klinikat, për diagnozën, shërimin, riaftësimin e të sëmurëve”, - tha kreu i qeverisë.
Reforma në shëndetësi
Vendimi për ngritjen e Universitetit të Mjekësisë është i lidhur ngushtë me reformën e shpallur në sistemin shëndetësor. Me finalizimin e këtij projekti pritet të ketë përmirësim të cilësisë së shërbimit shëndetësor dhe rajonalizimi i plotë i tij. Një prej prioriteteve të përcaktuara nga ministrja aktuale është krijimi i degëve për menaxhimin shëndetësor.
Duke i dhënë më shumë frymë Fakultetit të Mjekësisë dhe atij të Infermierisë, duke i shkrirë në një universitet, kjo duket se mund të kthehet shumë shpejt në realitet. Nga viti i ardhshëm pritet të ketë një hierarki në sistemin shëndetësor, duke shtrirë fushën e bashkëpunimit dhe vartësisë midis komponentit universitar dhe komponentit strikt mjekësor.
Aktualisht, Fakulteti i Mjekësisë është nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që nga viti i ardhshëm, me kthimin në universitet, administrimi do të jetë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë, së bashku me atë të Arsimit. Me këtë vartësi drejtimi i tregut të punësimit, i zhvillimit të sistemit shëndetësor e tashmë edhe përgatitjes së profesionistëve të rinj, do të mund të jetë në kah të njëjtë dhe i mirorganizuar.