E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks emigrantësh në Kapshticë, Kakavijë e Portin e Durrësit

TIRANË-Fluks i madh hyrje-daljesh në pikat kufitare dhe portuale të vendit tonë në këto ditë të nxehta vere.

Pika e kalimit kufitar në Kapshticë edhe gjatë 24 orëve të fundit ka shënuar një numër të lartë të emigrantëve të cilët kthehen në Shqipëri për pushimet verore.

Në këtë pikë kufitare janë shënuar sot radhë emigrantësh në anën greke dhe në tokën neutrale mes dy doganave, ku radha me automjete ka pushtuar të 3 korsitë e rrugës. Sipas informacioneve të fundit pala shqiptare punon me 8 sportele, ndërsa dogana greke punon me 4 sportele. Në 24 orë në vendin tonë kanë hyrë 8400 persona dhe 3 mijë automjete dhe kanë dalë jashtë kufirit 3700 persona.

Ndërkohë fluks emigrantësh është regjistruar edhe në doganën e Kakavijës, ku në 12 orë janë shënuar 4 200 hyrje dhe 1 mijë automjete, ku pala shqiptare po u shërben nëpërmjet 6 sporteleve po punojnë me kapacitete të plota në sportele.
Durrës
Por, fluksi më i madh është shënuar si asnjë vit tjetër në portin e Durrësit. Në 24 orë kanë hyrë 16 mijë pasagjerë dhe rreth 5 mije automjete ndërsa kanë dalë 5 mijë pasagjerë.
Vetëm ditën e sotme kanë mbërritur plot 5 tragete të mbushur plot me pasagjerë. Autoritetet portuale kanë marra masat e nevojshme duke punuar me 38 sportele për të përballuar fluksin e shmangur radhët.
Vlorë
Më e qetë situata në Vlorë ku brenda 24 orëve raportohet se kanë hyrë 1 010 persona dhe 245 automjete. Por, fluksi do të shtohet pasi 2 tragete plot me pasagjerë pritet të mbërrijnë sot në Portin e Vlorës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›