Fluorizimi ne shkolla nis fushata te femijet 12 vjec
Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Shoqatën Dentare Shqiptare, po organizojnë një program pilot fluorizimi në grupmoshën 12-vjeçare në disa shkolla të qytetit të Tiranës.
Në këtë projekt janë të angazhuar një pjesë e mjekëve stomatologë të shërbimit publik. Projekt ka për qëllim parandalimin e prishjes së dhëmbëve në këtë grupmoshë.
Ministria e Shëndetësisë, mbështetur në Strategjinë për Shëndetin Oral synon shtrirjen e këtij programi parandalimi në të gjitha grupmoshat shkollore dhe parashkollore në të gjithë vendin.
“Ky program do të sjellë një reduktim të ndjeshëm të sëmundshmërisë së dhëmbëve të prishur në këtë grupmoshë, dhe gjithashtu do të kursejë edhe të ardhurat e familjeve dhe buxhetit të shtetit që do të shkonin për mjekimin e këtyre sëmundjeve. Një program i ngjashëm ka disa vite që zbatohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Danimarkë”, - deklaroi Enea Nuredini, drejtori i sektorit të stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë. Fluori është element kimik që mund të gjendet gjithkund në natyrë: Në ujëra minerale, në qumësht, në bimë dhe në gjallesat e detit. Fluori është komponent i rëndësishëm për parandalimin e kariesit. Fluori pengon zhvillimin e baktereve të rrezikshme dhe përtërin dhëmbin që sapo ka filluar të prishet. Me qëllim që fluori të ketë ndikim mbrojtës, marrja e tij duhet të jetë e përhershme.