E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohet numri i emigranteve qe kthehen ne Shqiperi

Fluksi Vlorë, porti mbushet plot. Të gjitha sportelet bllokohen nga të ardhurit

Dje ka qenë dita me fluks më të madh për sezonin dimëror në portin e Vlorës. Të tetë sportelet e kontrollit të dokumentacionit kanë qenë në funksionim, pasi dhe ardhja e emigrantëve të cilët do kalojnë festat e fundvitit me familjet e tyre ka qenë edhe më e madhe krahasuar me ditët e kaluara. Burimet nga kapitaneria e portit të Vlorës bëjnë me dije se dita e sotme ka qenë dhe dita më e ngarkuar në sportelet e kontrollit, pasi vetëm sot nga porti i Vlorës, me dy tragetet e linjës Vlorë- Brindisi kanë hyrë 1200 persona, një shifër kjo e madhe për këtë port dhe për këtë sezon. Emigrantët të cilët kanë zgjedhur këtë port për t’u rikthyer në vendlindje kanë shprehur dhe kënaqësinë e mosvonesave në kontrollin e dokumentacionit, ndërkohë që para një viti duhet të prisnin në radhë më shumë se dy orë. “Kontrolli i dokumenteve kryhet në më pak se dy minuta dhe radhët e gjata janë eliminuar”, - deklaruan emigrantët. Po ashtu, një fluks të madh ka pasur dhe nga qytetarët të cilët largohen drejt vendit fqinj, Italisë për të kaluar pushimet e Vitit të Ri. Dje nga kjo pikë kufitare kanë kaluar rreth 600 pasagjerë. Nuk kanë munguar edhe persona të cilët kthehen nga pala italiane për mosplotësim dokumentesh si dhe me problem me drejtësinë. Burimet nga porti i Vlorës bëjnë me dije se, në ditët në vazhdim fluksi i pasagjerëve do të jetë edhe më i lartë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›