Fondacioni Grek i Kultures hap degen e tij ne kryeqytetin shqiptar
Tiranë, 5 mars 19:04 NOA - Takimet mes dy popujve ballkanikë do të kenë tani e tutje vokacion më të madh përmes një institucioni të tillë si Fondacioni Grek i Kulturës.
Ai është pjesë e rrjetit të gjerë të degëve të FGK-së, të cilat shtrihen nga Odesa në Nju Jork dhe nga Berlini në Melburn.
Fondacioni Grek i Kulturës tashmë do të jetë i pranishëm dhe në kryeqytetin shqiptar dhe kjo shtrirje, vjen pas Sofjes, Bukureshtit dhe Beogradit.
Në përurimin zyrtar të tij ka qenë edhe presidenti i FGK, një autoritet i njohur shkencor, Jorgos Babinjotis, gjuhëtar me një vepër të plotë si shkrimtar, leksikograf dhe shkencëtar. Ai ka promovuar sot pasdite në shkollën jopublike “Arsakeio e Tiranës”, ekspozitën “Duke udhëtuar me Kavafin”, kurse aktorja e njohur Ema Andrea ka recituar poezi.
Në të njëjtën kohë, kori i nxënësve të shkollës Arsakeio ka paraqitur një program me këngë të ndryshme, shoqëruar në piano nga pianisti i shquar Robert Radoja.
Në fakt, kulturat e dy vendeve kanë shumë pika takimi dhe qëllimet e Fondacionit grek do të shkojnë që nga mësimi i gjuhës greke, brenda procesit të mësimit të gjuhës greke, ku studentëve u ofrohet njohja me elementët e frymës greke në këtë shkollë dhe deri në afrimin me poetët, intelektualët, artistët e saj, etj.
Shumë e rëndësishme mbetet dhe bashkëpunimi artistik, sepse ky bashkëpunim ka dhjetëra vite që zhvillohet dhe madje Greqia ka qenë e pranishme në Shqipëri dhe në kohën e izolimit të plotë të saj.
Drejtori i Vatrës së Tiranës për Fondacionin Grek të Kulturës, z. Jorgos Jakumis, filolog, është tejet i vlerësuar nga Akademia e Athinës për veprën e tij “Monumentet e Ortodoksisë në Shqipëri”.
Duke folur sot në aktivitetin ceremonial, ai tha se “në qendër të interesit tonë janë takimet e shpeshta mes njerëzve të teatrit, të muzikës, të arteve pamore, të intelektualëve”.
Kurse vijoi: “Ne nuk jemi të interesuar vetëm për paraqitjen e njëanshme të kulturës greke, por dëshirojmë të organizojmë veprimtari të tjera të përbashkëta bashkëpunimi mes dy qytetërimeve. Kështu njëra palë afrohet me tjetrën”.
Për studiuesit shqiptarë shumë interes paraqet dhe fusha e takimeve shkencore në disiplinat e historisë, filologjisë, arkeologjisë, kritikës letrare.
Ky fondacion pritet që të ushtrojë veprimtarinë e tij edhe në Fier, Durrës, Vlorë, Shkodër, etj.
Por, më thjeshtë akoma e ka shpjeguar qëndrimin e tij dhe atë që duhet të bëjë Fondacioni në vetvete studiuesi i vjetër Jorgos Jakumis, që tha: “Zakonet e vjetra negative janë tejkaluar tashmë. Popujt tanë janë pak më të ... shkathët se qeveritë tona. Në mësimet që ofrojmë ne vijnë deri dhe gjyshe! Njëra nga ato mëson greqisht. Pse, do të thoni ju? Që të flasë greqisht me nipin që ka lindur dhe rritet në Greqi. Kurse unë duhet të mësoj shqip jo thjesht sepse jetoj në Tiranë, por sepse nesër, nipi apo mbesa ime, do të flasë gjuhën e nënës së vet. Popujt nuk ngurrojnë të miqësohen njëri me tjetrin. Nuk ngurrojnë të bashkudhëtojnë në makinën e përbashkët të kulturës”.
n.i/NOA